Analisti Fatos Lubonja, i ftuar në studion e News24, ka komentuar zhvillimet e fundit lidhur me hetimet ndaj zv/kryeministres Belinda Balluku, duke ngritur shqetësime të forta mbi raportin mes institucioneve të drejtësisë dhe pushtetit politik.
Sipas Lubonjës, vendimmarrjet e institucioneve, përfshirë Gjykatën Kushtetuese, tregojnë shenja të një kontrolli të fortë politik mbi sistemin e drejtësisë. Ai theksoi se nëse Kushtetuesja vendos që Balluku të vijojë detyrën, kjo është një tregues i qartë i kapjes së një pjese të rëndësishme të drejtësisë, ashtu siç, sipas tij, kryeministri Edi Rama ka ushtruar kontroll edhe mbi institucione të tjera, përfshirë Presidencën.
“Këtu ngrihet pyetja se sa të vetëdijshëm janë njerëzit e drejtësisë se kanë përballë një bandë kriminale që duhet të dalë para drejtësisë dhe sa prej tyre ndihen pjesë e kësaj bande”, u shpreh Lubonja, duke e cilësuar këtë si një problem të kahershëm të Shqipërisë dhe një kulturë që vijon ende.
Ai komentoi edhe rolin e SPAK, duke pranuar se janë ndërmarrë disa aksione, por duke vënë në dyshim ekzistencën e një vizioni të qartë përballë asaj që ai e quajti një strukturë të organizuar pushteti.
“Një pjesë e mirë e SPAK e di shumë mirë çfarë po ndodh, por kapja e institucioneve bën që ato që dihen të mos thuhen”, theksoi analisti, duke shtuar se rasti Balluku dhe zhvillimet e ardhshme do tregojnë nëse do ketë masa konkrete apo nëse do ketë një reagim mbrojtës të pushtetit, në bashkëpunim me elementë të krimit të organizuar.
Sa i përket debatit për një qeveri teknike, Lubonja u shpreh se një zgjidhje e tillë do të kishte kuptim vetëm pasi drejtësia të kishte vepruar dhe përgjegjësit kryesorë të ishin përballur me ligjin. “Një qeveri teknike me Ramën në pushtet nuk e shoh të funksionojë si duhet”, përfundoi ai.
