Rasti i Ballukut nxin Shqipërinë! Raporti i Komisionit Europian për sundimin e ligjit në Shqipëri është ndalur edhe te zhvillimet që lidhen me ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku, e cila është nën hetim nga SPAK për çështje që lidhen me korrupsionin dhe procedurat e tenderimit.
Në dokument, Komisioni Europian ngre shqetësime për vendimin e Kuvendit për të mos miratuar heqjen e imunitetit të Ballukut si deputete, pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme (SPAK), duke e lidhur këtë me parimet e kontrollit dhe balancës mes pushteteve, si dhe me parimin e barazisë para ligjit.
“Refuzimi i Kuvendit për t’i hequr imunitetin një deputeti ka ngritur shqetësime në lidhje me parimet e balancës dhe kontrollit të pushteteve, si edhe të barazisë para ligjit”, thuhet në raport.
Sipas BE-së, në mars të vitit 2026, Kuvendi rrëzoi kërkesën e SPAK-ut për heqjen e imunitetit të një deputeti të akuzuar për shkelje të parimit të barazisë në procedurat e tenderimit.
Komisioni Europian vlerëson se ky vendim ka krijuar shqetësime për respektimin e parimeve të ndarjes së pushteteve dhe për mundësinë që zyrtarët e lartë të trajtohen ndryshe përpara ligjit. Raporti i referohet gjithashtu nismës së një grupi deputetësh të shumicës qeverisëse për ndryshime në Kodin e Procedurës Penale, të cilat synonin zgjerimin e kategorisë së zyrtarëve që nuk mund të pezullohen nga detyra si masë sigurie gjatë proceseve gjyqësore.
Sipas Brukselit, këto ndryshime kanë ngritur pikëpyetje nëse mund të dëmtojnë efektivitetin e hetimeve penale, veçanërisht atyre që lidhen me korrupsionin në nivelet e larta të administratës.
“Refuzimi i Kuvendit për t’i hequr imunitetin një deputeti ka ngritur shqetësime në lidhje me parimet e balancës dhe kontrollit të pushteteve, si edhe të barazisë para ligjit. Në mars 2026, Kuvendi hodhi poshtë një kërkesë të SPAK-ut për heqjen e imunitetit të një deputeti, i akuzuar për shkelje të parimit të barazisë në procedurat e tenderimit. Ky refuzim ngjalli shqetësime për respektimin e parimeve të balancës dhe kontrollit të pushteteve, si edhe të barazisë para ligjit.
Paralelisht, një grup deputetësh të shumicës qeverisëse propozuan ndryshime në Kodin e Procedurës Penale, me qëllim zgjerimin e kategorisë së zyrtarëve që nuk mund të pezullohen nga detyra si masë paraprake gjatë zhvillimit të proceseve gjyqësore. Këto ndryshime ngritën shqetësime se mund të pengojnë efektivitetin e hetimeve penale, përfshirë hetimet për korrupsion në nivelet e larta, si edhe se koha kur u propozuan mund të krijojë perceptimin e pandëshkueshmërisë.”, sqarohet në raport.
Raporti i BE-së vlerëson ndërkohë progresin e bërë nga Shqipëria në reformën në drejtësi dhe punën e SPAK në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë, por nënvizon se ndërhyrjet politike, mbrojtja përmes imunitetit dhe ndryshimet ligjore të perceptuara si pengesa për hetimet mbeten shqetësime për sundimin e ligjit.
