Franca, Siria dhe Shtetet e Bashkuara ranë dakord të premten të zhvillojnë një raund të ri bisedimesh midis qeverisë siriane dhe autoriteteve autonome kurde “sa më shpejt të jetë e mundur” me qëllim integrimin e kurdëve në shtetin sirian.

Sipas një deklarate të përbashkët të lëshuar nga të tre palët pas një takimi në Paris këtë mëngjes midis Ministrit të Jashtëm francez Jean-Noel Barrot, homologut të tij sirian Assad al-Shibani dhe të dërguarit të posaçëm të SHBA-së Tom Barrack, u ra dakord që kryeqyteti francez të presë “sa më shpejt të jetë e mundur” një raund të ri bisedimesh midis qeverisë siriane dhe Forcave Demokratike Siriane (SDF) që synojnë zbatimin e marrëveshjes së 10 marsit.

Mazloum Abdi, kreu i SDF-së (një krah i armatosur kurd i mbështetur nga SHBA-të), dhe presidenti i përkohshëm sirian, Ahmad al-Sarrah, ranë dakord më 10 mars për të integruar institucionet kurde në shtetin sirian. Pasuan shumë negociata, por marrëveshja është vonuar, me kurdët që kritikojnë deklaratën kushtetuese që i dha pushtet të plotë Sarrah-ut, si dhe formimin e një qeverie që ata e konsiderojnë jo përfaqësuese të diversitetit etnik dhe fetar të Sirisë.

Kurdët kërkojnë të ruajnë një model “të decentralizuar” të qeverisjes, diçka që Damasku e refuzon.

Një takim i përfaqësuesve kurdë me një delegacion të qeverisë siriane i planifikuar për të enjten në Paris është shtyrë.

Të mërkurën, zëdhënësi i SDF-së, Farhad Sami, tha se “ulja e armëve është një vijë e kuqe” për kurdët. “Askush nuk do t’i bindet. Kushdo që vë bast për dorëzimin (nga ushtria kurde) do të humbasë, ngjarjet tragjike e kanë konfirmuar këtë”, tha ai, duke iu referuar përplasjeve të fundit midis beduinëve dhe druzëve në Sweida, ku u vranë 1,400 persona. Pas trazirave, një zyrtar i lartë kurd sirian i bëri thirrje Damaskut që “të rishikojë plotësisht dhe urgjentisht” qasjen e tij ndaj pakicave.

 

(A.A/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb