Zyrtarë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Iranit do të takohen në Zvicër më 17 shkurt për raundin e dytë të bisedimeve lidhur me arritjen e një marrëveshjeje për ta kufizuar programin bërthamor të Teheranit dhe për ta shmangur luftën.
Palët zhvilluan bisedime indirekte në fillim të këtij muaji në Oman, për herë të parë qëkurse u bombarduan objektet e rëndësishme bërthamore të Iranit nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara gjatë një konflikti të shkurtër në qershorin e vitit të kaluar.
Bisedimet e së martës do të zhvillohen në një kohë të grumbullimit të madh të forcave ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme.
Tensionet janë rritur pas protestave masive mbarëkombëtare në Iran muajin e kaluar, gjatë të cilave autoritetet kryen shtypje brutale që, sipas grupeve për të drejtat e njeriut, la mijëra të vrarë.
Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araqchi, do të zhvillojë bisedime në Gjenevë me të dërguarin special të Shtëpisë së Bardhë, Steve Witkoff, dhe dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner, ndërsa përfaqësuesit e Omanit do të veprojnë si ndërmjetës.
“Jam në Gjenevë me ide konkrete për të arritur një marrëveshje të drejtë dhe të barabartë. Ajo që nuk është në tryezë: nënshtrimi përballë kërcënimeve”, shkroi Araqchi në platformën X më 16 shkurt, teksa mbërriti për bisedime me kreun e Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike, Rafael Grossi.
Teherani ka thënë se është i gatshëm të pranojë kufizime ndaj programit të tij bërthamor në këmbim të lehtësimit të sanksioneve të rënda ekonomike amerikane, por nuk do të heqë dorë nga e drejta për pasurimin e uraniumit.
Uashingtoni ka kërkuar zgjerimin e fushës së bisedimeve për të përfshirë kufizime ndaj programit iranian të raketave balistike dhe ndërprerjen e mbështetjes së Teheranit për grupet e armatosura në Lindjen e Mesme. Por, Irani i cilëson këto çështje si të papranueshme për diskutim.
Shtetet e Bashkuara dhe Irani do të duhet t’i tejkalojnë mosbesimin dhe armiqësinë e thellë për ta arritur një marrëveshje.
Një tjetër pengesë është rritja e kostove politike të një marrëveshjeje për të dyja palët.
“Sot, çdo lëshim pozitiv ndaj Republikës Islamike do të nënkuptonte në thelb shpërblimin e një regjimi që në javët e fundit ka vrarë disa mijëra iranianë”, tha për Radion Farda Ali Vaez, drejtor i Projektit për Iranin në organizatën me seli në Bruksel International Crisis Group.
Për Iranin, “arritja e një marrëveshjeje me një president që, jo vetëm ka kryer sulme ushtarake kundër objekteve bërthamore të Iranit, por ka kërcënuar edhe me ndërhyrje ushtarake në punët e brendshme të vendit, është e vështirë”, tha ai.
