TIRANË-Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Florian Raunig, theksoi sot gjatë konsultimin publik me temë “Sistemi gjyqësor dhe financimi i drejtësisë në Shqipëri” se, “ky takim është një hap i rëndësishëm i reformës në drejtësi”. Gjithashtu, theksoi Raunig, “ai është një arritje e rëndësishme në funksion të demokracisë pjesëmarrëse, sepse mbledh të gjitha palët e interesuara në një proces konsultimi gjithëpërfshirës, transparent dhe të udhëhequr nga shqiptarët. Prezenca e OSBE-së është e angazhuar për ta mbështetur më tej këtë proces”.

“Pse është kaq e rëndësishme një reformë ligjore gjithëpërfshirëse dhe transparente? Shqipëria është zotuar të respektojë angazhimet e OSBE-së, ndër të cilat janë transparenca dhe angazhimi qytetar – duke i garantuar çdo qytetari të drejtën për t’iu drejtuar Qeverisë dhe Kuvendit, si edhe për t’u dëgjuar mbi çështjet me interes public”, tha Raunig. Sidoqoftë, vijoi ambasadori i OSBE-së, “ky detyrim publik nuk është e vetmja arsye për të garantuar demokraci pjesëmarrëse. Konsultimet me palët e prekura nga një ligj i caktuar, janë rruga më e drejtpërdrejtë për të hartuar politika dhe ligje të shëndosha dhe të qëndrueshme. Konsultimi me publikun ndihmon në orientimin e politikave drejt interesit publik. Kur qytetari merr pjesë në hartimin e politikave, ai kontribuon edhe në zbatimin e ligjeve që i kupton dhe i mbështet. Cilitdo që ka dyshime për vlerën e konsultimeve i them: “Nëse nuk e gjen kohën për ta bërë saktë herën e parë, ku do ta gjesh kohën ta bësh sërish?””

“Në fillim mund të duken si vonesa të panevojshme gjatë procesit legjislativ, por praktika ndërkombëtare ka treguar se konsultimet me palët e interesuara janë dobi dhe jo barrë; janë fitim dhe jo kosto. Konsultimi me palët e interesuara nuk harxhon kohë, përkundrazi, kursen kohë. Kursen kohë sepse përfshin palët e rëndësishme, angazhimi i të cilave është i nevojshëm për suksesin e reformës”, tha Raunig. Sipas tij, “konsultimi nuk është punë vetëm e qeverisë apo e parlamentit. Autoritetet publike e kanë për detyrë t’i hapin derën qytetarit që të marrë pjesë, por është po aq edhe detyra juaj, detyra jonë, të trokasim në derë”.

Sot, theksoi Raunig, “gjyqtarët dhe profesionistët ligjorë, bashkë me qytetarët, do të diskutojnë mbi vizionin e duhur të sistemit të drejtësisë së shekullit XXI në Shqipëri. Reformat për të cilat do të diskutojmë sot kanë ndikim te të gjithë shqiptarët dhe do të zbatohen jo vetëm nga gjykatat dhe profesionistët ligjorë, por nga mbarë shoqëria shqiptare. Secili nga ne ka përgjegjësinë të promovojë kulturën e shtetit të së drejtës në Shqipëri. Është thelbësore që qytetari të ketë besim te sistemi i drejtësisë dhe t’i drejtohet për zgjidhjen e mosmarrëveshjeje, ndërkohë që shmangen kërkesëpaditë e panevojshme. Që kjo të bëhet realitet, qytetari ka nevojë për edukim ligjor që të kuptojë të drejtat dhe detyrimet e veta”.

“Grupet e Punës kanë bërë një analizë të plotë të katër dimensioneve të drejtësisë: pavarësia, paanësia, llogaridhënia dhe efiçenca. Dua të theksoj vlerën e efiçencës. Efiçenca është thelbësore për të vënë të drejtën në vend: drejtësi e vonuar është drejtësi e mohuar. Kjo është përgjegjësi e përbashkët: edhe pse janë gjyqtarët ata që e administrojnë një çështje, avokatët, palët në proces, dëshmitarët dhe të tjerët duhet të kontribuojnë për efiçencën e procesit gjyqësor. Kjo ndodh edhe me sistemin e menaxhimit aktiv të çështjeve në Gjykatat e Rretheve Gjyqësore Krujë, Korçë, Tropojë dhe Pukë, me mbështetjen e Prezencës dhe të USAID JuST, bashkë me Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe Ministrinë e Drejtësisë”, nënvizi ambasadori Raunig.

Sipas tij, “efiçenca është e rëndësishme edhe për integritetin. Menaxhimi aktiv i çështjeve garanton pjesëmarrjen e të gjitha palëve në çdo seancë, duke pakësuar rastet e korrupsionit. Regjistrimi audio rrit transparencën, sepse garanton një procesverbal objektiv dhe të plotë të gjykimit, duke iu dhënë palëve besim te saktësia e të dhënave. Këto janë themelet e sistemit të drejtësisë të shekullit XXI”. “Kuvendi ka marrë përsipër sfidën e reformës në drejtësi, ose ndoshta, duhet të them që Shqipëria e ka marrë përsipër këtë sfidë, meqë Kuvendi punon me qytetarët në forume si ky i sotmi. Për të qenë në lartësinë e sfidës, Shqipërisë i duhet një plan zbatimi. Plani duhet të evidentojë, reformat që duhen zbatuar menjëherë, reformat afatgjata që kërkojnë ,më shumë hulumtime apo konsultime, dhe masat në menaxhimin e gjykatave, që duhen për zbatimin e plotë të reformave. I ofroj Kuvendit mbështetjen e vazhdueshme të Prezencës në hartimin e planit të zbatimit, i cili do të ketë autorësi shqiptare dhe do të bazohet në përvojat më të mira ndërkombëtare”, tha ambasadori Raunig.

Takimi u zhvillua në kuadër të konsultimeve publike të dokumentit “Analiza e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri – 2015” që ka ndërmarrë grupi i ekspertëve të nivelit të lartë që ndihmon Komisionin e Posaçëm Parlamentar për Reformën në Drejtësi. Në veprimtari morën pjesë edhe ambasadori gjerman Helmut Hoffmann dhe ekspertët e Komisionit Agnes Bernhard (EURALIUS), Gent Ibrahimi dhe Ilir Panda. Konsultimi publik u zhvillua në Universitetin “Aleksandër Moisiu” ne Durrës.

(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: