Gazetari Mentor Kikia, i ftuar në studion e emisionit “Open”, ka analizuar reagimin e kryeministrit Edi Rama pas arrestimit të kryebashkiakut Erion Veliaj, duke vënë në dukje një ndryshim të qasjes së Partisë Socialiste ndaj SPAK.
“Rama u tregua në mënyrë të pamaskuar në mbështetje të Veliajt. E gjithë PS dhe njerëz rreth partisë nxituan të tregonin mbështetjen për të, dhe pas kësaj erdhi edhe propozimi i Ramës që këtu ndryshon marrëdhënia e mazhorancës me SPAK-un”, tha Kikia.
Ai theksoi se deri më tani, qëndrimi zyrtar i PS-së ka qenë se drejtësia duhet të veprojë e pavarur dhe se kushdo që shkel ligjin duhet të përballet me pasojat.
Por pas arrestimit të Veliajt, sipas Kikisë, duket se ka një përpjekje për të mbajtur një linjë bashkëpunimi politik me të, duke sugjeruar një distancim të qeverisë nga qëndrimi i mëparshëm për SPAK-un.