Me Mbappe në formacion, Real Madrid rikthehet të fitojë në La Liga, me ekipin e Alonso-s që doli me 3 pikë nga transferta përballë Alaves. Ky sukses i jep pak frymëmarrje trajnerit Alonso, me këtë të fundit që është vendosur në dyshim të fortë pas një sezoni me ulje-ngritje.

“Gjeli” francez ishte pikërisht një prej protagonistëve kryesor të këtij takimi, me Mbappe që tentoi në disa momente gjatë pjesës së parë të zhbllokonte sfidës. Më në fund, pas disa tentativave, Mbappe me një goditje perfekte tundi rrjetën në minutën e 24-ët. Reali gjeti edhe golin e dytë, por gjyqtari i takimit anuloi gjithçka për prekje të topit me dorë nga Bellingham. Alaves e nisi pjesën e dytë me tre zëvendësime të shpejta, ku mes tyre në fushë u hodh edhe Vincente. Pas vetëm një minutë, sulmuesi spanjoll u koordinua në mënyrë të shkëlqyer duke mposhtur edhe portierin Courtois. Festa vonoi pak pasi u desh edhe ndërhyrja e VAR për të konfirmuar golin e Alaves.

Për të sjell festë në radhët e Real Madrid mendoi dyshja Vinicius jr-Rodrygo, me këtë të fundit që u shërbye saktë brenda në zonë shënuar golin e dytë për Realin, një gol që në fund rezultoi një trepikësh. Fal këtij suksesi, Reali ngushton diferencën në 4 pikë me Barcelonën kryesuese.

Në konferencë për shtyp, Alonso kapet pas 3 pikëve, ndërsa u kujdes të theksonte se ekipi është i bashkuar: “Ishte një ndeshje e luftuar, e nisëm mirë, por më pas humbëm kontrollin e topit. Në fraksionin e dytë u futëm mirë në lojë, krijuam raste për shënim. Goli i dytë më pas na dhuroi këtë trepikësh, jam shumë i lumtur për këtë fitore. Ju siguroj që jemi të bashkuar. Ekipi është i bashkuar pasi kjo është e vetmja rrugë për të arritur te suksesi”, u shpreh Xabi Alonso.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb