Zhvillimi i teknologjisë ka pushtuar gjithnjë e më shumë stilin tonë të jetesës, duke diktuar mënyra të reja të ndërveprimit dhe aksesit në universin e informacionit. Është fakt se përdorimi i deritanishëm i teknologjisë apo Inteligjencës Artificiale më rishtazi, me ritme shumë të shpejta ka transformuar metodat konvencionale. Metoda të evolucionit teknologjik që ndikojnë drejtpërdrejt jo vetëm njeriun, por edhe sistemet në shërbim të tij.

Pata rastin në një aktivitet në Korçë të “udhëtoja” për disa minuta nëpërmjet syzeve të realitetit virtual (VR Headset), në gjurmët e historisë së projektimit dhe ndërtimit të Katedrales së Parisit, një monumenti emblematik të arkitekturës gotike franceze, nën efekte shumëdimensionale që përcillnin emocionin e një arratisje të bukur nga “Parisi i Vogël” në “Parisin e Madh”. Përjetova ndjesinë e pranimit se ndonjëherë është e nevojshme të shkëputemi disi nga realiteti jonë për të reflektuar, pasi kjo me gjasë na ndihmon për të imagjinuar më shumë për të bukurën e për të vlerësuar më mirë nevojën sistematike që përmirëson realitetin tonë.

Këto trende sjellin domosdoshmërinë për ta konsideruar e shfrytëzuar rolin tonë në shoqëri në mënyrë sa më të dobishme, sipas detyrave e angazhimeve që kemi, me një qasje sa më largpamëse e vetëreformuese, e cila besoj se duhet ta ketë pikënisjen së pari brenda vehtes sonë. Më saktë, mënyrës tonë të të menduarit e më pas edhe të të vepruarit.

I njëjti parim mendoj se duhet të aplikohet edhe brenda një familje të madhe politike, sidomos kur një forcë politike mban mbi supe peshën e rëndë të qeverisjes së vendit, aq më shumë pas një rikonfirmimi historik të pushtetit të deleguar nga qytetarët, për të ardhmen e përbashkët natyrisht.

Koha imponon në vazhdimësi nevojën që cilësitë më të mira të armatës së profesionistëve dhe kontributorëve në shoqëri, të marrin përgjegjësi të ciklueshme, për të garantuar një qarkullim të natyrshëm meritash e aftësish, në mesin e aktorëve të përfshirë më së pari në fushën e shërbimit publik, duke rritur mundësitë që të jetësohet më cilësisht e më shpejtë një vizion bashkëkohor.

Krahasova pikëtakimet tona me realitetin virtual, si një instrument që e lejon njeriun të inspirohet nga vizualizimi i kujtesës së të bukurës, historisë, krijmtarisë funksionale dhe estetike, qoftë ajo klasike apo moderne, sakrificave për ta mbrojtur e kthyer atë në aset publik, dhe punës serioze e profesionale të secilit në shoqëri sipas fushave të jetës, si dinamikë ndryshimi me energji “perpetuum mobile”, e cila për të qenë sa më e prekshme për qytetarët, duhet të mundësojë ndryshime të vazhdueshme që nxisin mirëqënie më të lartë e bashkëjetesë më të drejtë.

Në kushtet kur Shqipëria po ecën me ritëm të shpejtë në proceset integruese për anëtarësimin e vendit deri në vitin 2030 në familjen e Bashkimit Europian, kjo dikton edhe nevojën e një vetëkthjellimi, në ndonjë rast edhe kurajoz, për ta parë këtë mision të përbashkët gjithëherët si sfidë të lidhur me njerëzit e për njerëzit, të cilëve duhet t’iu shërbejmë në përditshmëri me përkushtim e ndërshmëri, pa notuar në qerthuj vetëkënaqësish që në fakt vetëm sa krijojnë iluzionin e shërbesës, ashtu si në jetën virtuale.

Pra, realiteti virtual mund të na shërbejë si frymëzim për të bukurën e të na ndihmojë për projeksionin e së nesërmes, por ajo që i vlen gjithmonë interesit publik është sa ky “virtualitet” ose thënë ndryshe REFLEKTIM, arrin të mbajë ndezur brenda nesh shkëndijën për të punuar me pasion e për të sjellë falë punës së ndershme e të palodhur sa më shumë progres, natyrshëm duke shkelur në lëmin e vështirësive e problemeve që duhen zgjidhur bashkarisht e me sens komunitar, pikërisht për të përmirësuar jetën tonë reale, që pse jo le t’i ngjajë hera herës edhe asaj virtuale.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb