Avokati Redi Ramaj në studion e emisionit “Open” në News24 duke komentuar operacionin e fundit të SPAK tha se fakti që pjesa më e madhe e personave nuk janë arrestuar tregon se nuk kemi ndonjë sukses.

Ramaj tha se koha do të tregojë nëse transkriptet e SKY dhe Encrochat janë indicie apo provat janë lidhur siç duhet, ndërsa theksoi se ka një dekonspirim të operacionit.

“Fakti që nuk janë arrestuar shumica tregon se kemi një dekonspirim. Kemi zyrtarë të policisë që rezultojnë të lidhur, që nuk janë arrestuar. Kemi deklaratat e kreut të SPAK që e thotë hapur për implikimet e policisë”, tha Ramaj.

Sipas tij, gjithmonë kur ka operacione të SPAK, duhet të përshëndeten, veçanërisht kur kemi emra të tillë si drejtues të organizatave kriminale, apo lidhje me politikën, policinë etj.

“Po furnizohemi me dokumente vetëm nga partnerët, por pyetja që shtrohet është: a ka kapacitete SPAK për të kryer vetë hetimet? Bëmë një reformë në drejtësi pa reformuar Policinë e Shtetit. Fakti që shteti të gjitha problemet e tij i ka lënë në dorën e një strukture, tregon se ka dështuar në të gjitha drejtimet e tjera. Nuk mund të ketë qytetari besim te Policia e Shtetit kur shikon se zyrtarë të saj punojnë për bandat. Këta elementë kanë lëvizur me Policinë e Shtetit”, tha Ramaj. Sipas tij, këta banda që kanë vendosur këto pasuri kanë korruptuar Policinë e Shtetit dhe politikën.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: