Avokati Redi Ramaj i ftuar në “Log.”, tha se synimi i ekipit ligjor të ish-deputetit Ervin Salianji, është marrja e pafajësisë nga gjykata e Strasburgut, para zgjedhjeve të përgjithshme të 2029.
Si përfaqësues ligjor i ish-deputetit të PD, Ramaj tha se lirimi para kohe nuk lidhet me dënimin që mori zoti Salianji.
“Jemi para një vendimi penal tërësisht politik në gjykimin tonë, i pabazuar në prova që janë paraqitur dhe janë gjykuar gjatë 2 fazave të gjykimit. Kemi dhe një vendim të gjykatës së Lartë që i gjen 2 vendimet të rregullta dhe pa shkelje ligjore.
Kemi gjykatën Kushtetuese si mjet mbrojtës që mund të konstatojë shkelje të procesit në tërësi dhe shkelje të njeriut e të drejtave themelore.
Këto i shohim si gjëra të mundshme, dhe kjo gjykatë ka tagrin për të prishur këto vendime të gjykatave më të ulëta, ose për ta kthyer e shqyrtuar edhe njëherë.
Duke qenë se kjo cështje në Shqipëri është bërë politike nga fillimi në fund, besimi ynë që gjykata e Strasburgut do i japë një zgjidhje të plotë cështjes ose do ta kthejë për shkelje të rënda të gjykimit dhe hetimit në Shqipëri.
Sot që flasim kanë kaluar mbi 90 ditë nga vendimi i Gjykatës së Lartë dhe akoma s’kemi një vendim të zbardhur.
Në momentin që kemi këtë vendim, brenda 4 muajve duhe ta cojmë në gjykatën Kushtetuese. Para vitit 2029, do e shqyrtojmë në gjykatën e Strasburgut, ky është synimi ynë”, tha avokat Redi Ramaj.
(BalkanWeb)
