Juristja Greta Ambeli, e ftuar në emisionin “News24 Fundjavë” me Megi Latifin, ka komentuar ngjarjen e rëndë që tronditi dje opinionin publik, ku Refit Buzi vrau prindërit e ish-partneres, dhe në fund, pas orësh të tëra negociatave me policinë nuk pranoi të dorëzohet dhe u vetëvra.

Ajo e ka parë ngjarjen edhe nga këndvështrimi i dhunës ndaj grave dhe problematikave sociale që lidhen me marrëdhëniet familjare. Ambeli u shpreh se në shumë raste një nga faktorët kryesorë që çon në konflikte të rënda është mospranimi i përfundimit të një marrëdhënieje, duke theksuar nevojën për edukim dhe respekt ndaj grave.

“Ajo që ndodhi dje ka qenë një ngjarje shumë e tmerrshme që ka tronditur mbarë opinionin publik, por unë do ta shikoja edhe në aspektin e femrës dhe faktit që këtu sërish shkak ka qenë një femër”, tha juristja.

Ajo shtoi se, sipas informacioneve të bëra publike deri tani, duhet marrë në konsideratë edhe dhuna psikologjike që mund të ketë përjetuar viktima, në rast se ka pasur përndjekje. Sipas Ambelit, familjet shqiptare duhet t’i edukojnë brezat me kulturën e respektit dhe pranimit të vendimeve brenda një marrëdhënieje.

“Kur një individ e kupton që një marrëdhënie ka përfunduar, ajo duhet të zgjidhet në rrugë ligjore, siç mund të jetë divorci dhe jo përmes dhunës”, u shpreh ajo.

Juristja theksoi se rastet e dhunës në familje janë të shumta dhe se shumë gra detyrohen të përballen me vështirësi ekonomike dhe sociale, madje edhe të jetojnë në të njëjtën banesë me personat ndaj të cilëve kanë kërkuar mbrojtje.

“Rastet e dhunës në familje janë të shumta, ashtu si edhe urdhrat e mbrojtjes që marrin gratë. Ka raste kur ato detyrohen të jetojnë ende në të njëjtën shtëpi për shkak të pamundësive ekonomike”, deklaroi Ambeli.

Ajo kërkoi një analizë më të thelluar nga institucionet, duke argumentuar se raste të tilla nuk duhet të trajtohen vetëm me dënimin e autorit pas ngjarjes, por edhe me politika që parandalojnë përsëritjen e tyre.

“Ky rast, sikurse shumë ngjarje të tjera, duhet të shërbejë si një kambanë alarmi për politikat penale në Shqipëri. Duhet të analizojmë nëse sistemi duhet të fokusohet vetëm te ndëshkimi apo edhe te edukimi dhe parandalimi”, tha ajo.

Sipas juristes, duhet të studiohen edhe faktorët psikologjikë të autorëve të krimeve, marrëdhëniet familjare, mënyra e edukimit dhe ndikimi i mjedisit ku janë rritur.

“Duhet të ketë një analizë të thellë të kushteve psikologjike të individit, marrëdhënieve në të cilat kanë jetuar dhe rolit të familjes, pasi në disa raste edhe prindërit mund të bëhen burim konfliktesh për çiftin”, përfundoi Greta Ambeli.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb