Pas mëse tre dekadash të lëvizjes së dhjetorit 90, të inicuar nga studentët dhe të mbështetur gradualisht nga i gjithë populli, desha të nxjerr disa refleksione për atë lëvizje.

E para ajo lëvizje në mënyrën dhe formën që ka qenë atëhere nuk i qëndron më kohës. Pra duhet rikonceptuar, përditësuar, ndryshuar, etj. Në thelb, lëvizja e dhjetorit 90, ishte një projekt për demokratizimin dhe evropianizimin e vendit. Mirëpo çdo projekt ka një afat të caktuar, qëllime dhe objektiva konkrete. Po nuk u realizua brenda një afati të caktuar, duhet të bëhet një projekt i ri. Disa nga objektivat e atij projekti janë realizuar e disa nuk janë realizuar. Ndonjë objektiv nuk i ka qëndruar kohës dhe duhet hequr. Pra pas mëse tre dekadash, një lëvizje e re për evropianizimin e vendit duhet shpikur, ngritur dhe formuar. Dihet se në procesin e evolucionit, asgjë nuk qëndron në vend por zhvillohet, përmirësohet, testohet dhe çohet më tej në mënyrë të vazhdueshme. Ndryshe është revolucioni që është ndryshim radikal, rrënjësor, i menjëhershëm që trondit bazat e shoqërisë dhe mund të sjellë edhe pasoja të rënda sepse ndryshimet jane të patestuara dhe nuk dihet sa do t’i qëndrojnë kohës.

-Refleksion tjetër është si ta zhvillojmë ekonomikisht vendin, me çfarë qasje, çfarë prioritetesh, çfarë duhet hequr e çfarë duhet shtuar. Turizmi, bujqësia, teknologjia e informacionit, mund të jenë disa nga prioritetet kombëtare që janë të lidhura e të ndërthurura me njëra-tjetrën. Mund të ketë edhe prioritete të tjera zhvillimi.
Aspekt tjetër është si ta përmirësojmë sistemin demokratik. Të jemi realist, megjithë progresin e bërë këto tre dekada, lidhjet informale, partiake, miqësore, farefisnore, etj, ende prevalojnë mbi lidhjet institucionale. Po më kujtohet një shprehje e një kolegu. Ende duhet të gjejmë një mik për të regjistruar fëmijën në kopsht. E-albania është aty por ndërgjegjësimi dhe bindja për të, është një proces, nuk realizohet menjëherë. Ende ka paragjykime për të angazhuar resurset tona njerëzore për shkak të bindjeve politike dhe krahinore dhe kjo i pakëson ndjeshëm kapacitetet që duhet të angazhohen për të arritur objektivat si shtet e si komb.

-Aspekt tjetër është ndryshimi i vazhdueshëm i elitave politike dhe drejtuese. Idealja do të ishte që çdo 10 vite, të ketë ndryshim të elitave që pasohet me energji të reja, prishje të klaneve ekzistuese dhe ndërtim të lidhjeve të reja bazuar në burimet më të mira njerëzore. Nuk ndërtohet shtëpia e re me material të vjetër.

Ai idealizëm i studentëve të lëvizjes së dhjetorit 90 që për hir të së vërtetës i ka shoqëruar këta studentë edhe në faza të mëvonshme të jetës, mendoj se është një shembull i mirë që duhet ndjekur. Sesa i kanë mbështetur ata partitë politike, kjo është për tu diskutuar sepse ka mbizotëruar cmira, egoizmi, pragmatizmi, xhelozia. Po më kujtohet një shprehje e Ardian Klosit. Njerëzit në thelb nuk janë nacionalistë por materialistë. E pra duhet edhe pak idealizëm për ta çuar vendin përpara. Kuptohet pastaj se nga rregullimi i interesave të individëve, rregullohet edhe gjithë shoqëria.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb