Nga Dodë Melyshi
Mbasi i batë njëmijë e një të zezat, mbasi t’tanët na i vratë (qe besa këto, para se me dekë, qenë asi burrash, që e shpaguan veten dhjetë fish), mbasi i lyet edhe me benzinë trupat e tyne, e i’u vutë flakën, mbasi i varët tek Mani i Lal Ndreut, n’mes të Rrshenit, deri në dekompozim, t’ue trishtue fëmijë, gra e pleq, mbasi ua humbët edhe varret Heronjve, e pastaj këto fëmijë, gra e pleq, i toritët nëpër kampe përqendrimi, mbasi na e dogjët Biblën para syve, e me të edhe Dhjetë Urdhnesat e tenZot, t’ue deformu e përlye një formim e moral shekullor, mbasi i zhvatet njerëzinë nga pronësitë, edhe ato ma jetike e elementare,…..

….mbasi na latë të pa veshur, të pa mbathur e të pa ushqyer, ani pse prindërit t’anë robtoheshin ditë e natë në punë (besa të paushqyer, latë edhe një pjesë të fëmijve të tuej: se i ‘pabuksi’ shekullor, s’ban hair kurrë mos raftë as familja e vetë në dorë të tij, jo ma e tjetrit!), mbasi stresuet tanë jetën baballarët tanë – ato Fisnikë të papërsëritshëm, t’ue i lanë nga pas ‘pulle poste’, si qenefin mbas kullet, turli lloj spiuni, hafije e opinge…,

….mbasi na privuet të drejtat elementare t’ue fillue nga shkollimi (ju sak jeni nxanës të shkëlqyer, po shkollat s’janë për ju, ç’po iu duhen librat!), mbasi na privuet edhe prej gjuhës amë,’vetëm rraca inferiore flet në paskajore’, e “nènès”, i thotë “nane”…, eee, shikoni se, vetëm rraca inferiore i thërret fëmijët me emër: “Gjergj, Gjin, Mare, Bardhe, Mark, Pjetër, Marie”, etj., etj., etj., pra duhen emra Jugu e Revolucioni…mbasi i batë pra njëmijë e një t’zezat, sot keni kurajo me na kërkue që këto mos të përmenden. Se asht turp…!

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Morali juej na mëson se me e ba krimin, nuk ishte turp, ndërsa me e përmend sot, qenka e turpshme. Me hedh në laps e në letër me qëllim, që breznitë që vijnë t’i dine dy gjana: të reflektojnë e të nxjerrin ndonji mësim elementar, qenka e turpshme; “Je djalë i mirë, je familje e mirë, mos i përmend, gjana që kanë kalue…pse e përlyen vetin kot…”?!

Me përmend robi të VERTETA, që shënuen fatin e tre brezave, u “përlyka”, simbas moralit të qenieve të pamoralshme!

Ne s’ditëm me urry, as me ba viktimën. As nuk kërkuam shpagim, as nuk kërkuam hakmarrje. As një “Rumani” të dytë. Me fëmijët tuej, që nuk patën faje e që s’mund të kishin faje, u bamë serish shokë. S’mund t’ua donim të keqen.

Ne provuam vetëm indinjatën dhe mëshirën për ju e, shpirtin tuej të errët.

Po ju nuk meritoni as indinjatë as mëshirim, as falje. Ju jeni kategori e pandreqshme. Ju jeni një e keqe e përhershme, jeni rrugë pa kthim!

Ju s’bëheni kurrë njerëz! Ju kurrë s’do të bëheni njerëz. S’ka kishë as Papë që u’a lanë mëkatet!

Llumi i përhershëm i kësaj shoqërie! /Memorie.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb