Prej gati dy orësh, presidenti Ilir Meta po merret në pyetje nga anëtarët e Komisionit Hetimor të ngritur për shkarkimin e tij, pas zhdekretimit të 30 qershorit. Kreu i këtij komisioni, Ulsi Manja i ka bërë disa pyetje Metës, ndërsa ky i fundit nuk ka nguruar që të përgjigjet. Manja e pyet Metën për faktin se vendimi për ndryshimin e datës 30 qershor u mbështet tek një reflektim nga ana e tij apo nëse zgjodhi një standard të ri.

Manja: Duke dëgjuar dëshminë tuaj në komision, kam disa pyetje. Kur thash në fillim se; ‘Kushtetuta ka përgjigje për të gjitha shqetësimet që lindin në një republikë parlamentare si e jona’. Ju kompetencën tuaj për caktimin e datës së zgjedhjeve, përcaktuar në nenin 92, e konsideroni një të drejtë tuaj për ushtrimin e sovraniteti të popullit, apo detyrim tuajin për të ushtruar sovranitetin e popullit.

Meta: Për të garantuar cilësisht të drejtën e zgjedhjeve siç e cakton edhe Strasburgu, Ndaj mora këtë akt, për të caktuar një datë tjetër, që kjo e drejtë të ushtrohej cilësisht.

Manja: Ju iu referuat Gjykatës së Strasburgut disa herë.. A mendoni se me anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, me arsyetimin e garantimit të së drejtës së votës, tentuat t’ja mohonit palës tjetër ushtrimin e Kushtetutës. Ju duke tentuar t’ja garantoni njërës pale dhe ja hoqët të drejtën palës tjetër, a nuk apsentuat në këtë rast?

Meta: Unë si kam mohuar askujt të drejtën e zgjedhjeve. Kam zhdekretuar 30 qershorin për të dekretuar një datë të re gjithëpërfshirëse në mënyrë që shqiptarët të kenë një datë të re dhe të drejtën e votës. Zgjedhjet me një kandidatit nuk janë aq të fshehta. Është votë e lexueshme, e dallueshme. Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut është e vetmja që mund të bëjë interpretim të konventës europiane.

Manja: Dua të citoj arsyetimin ne dekretin tuaj; ‘duke marrë përgjegjësitë kushtetuese dhe i bindur se mbrojta kushtetuese është me e rëndësishme se çdo afat ligjor, si kreu i shtetit, për te garantuar paqen sociale’, më lind pyetja; ju mendoni se tejkalimi i afateve për të kaluar periodicitetin e zgjedhjeve, është mbrojtje e duhur që i bëhet kushtetutës?

Meta: Nuk ka afat në kushtetutë, përveç periodicitetit. Nuk caktova datë, pasi nuk dëshiroja të caktoja datë në kushte arbitrare, isha në kushtet e emergjencës. Për këtë nisa menjëherë bisedat e diskutimet me forcat politike. Data 13 tetor, është dhe në relacion, se pse është zgjedhur kjo datë. Në mënyrë që të garantohej pjesëmarrje.

Manja: Ju zgjodhët 13 tetorin si datë e re zgjedhore. Palët politike vazhdonin të ishin në të njëjtat llogore. Asnjë nga rrethanat nuk kishin ndryshuar. Kur firmosët datën e re të 13 tetorit, kemi qasje të re reflektimi, apo kjo zgjidhje përbën një standard të ri të vendosur nga ana juaj dhe jo respektimin e kushtetutës. Reflektuat ju, apo ju e konsideroni standard të ri sjelljen tuaj në raport me zgjedhjen e 30 qershor.

Meta:
Sjellja me është tërësisht në standarde kushtetutës, siç janë sjellë presidentët në rrethana të tilla të ngjashme. Në rast se kryeministri do të shprehte vullnetin për t’i dhënë mundësi opozitës, në tërësi, përfshirë dhe kandidatë të pavarur, për të realizuar një proces zgjedhor, besoj se situata do të ishte ndryshe. Isha i detyruar që të caktohej data zgjedhore, që mos t’i mohoja zgjedhjet shqiptarëve. Zhdekretimin e bëra në mbrojtje të zgjedhjeve.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: