TIRANË- Ndërkohë që Komisioni i Venecias ka dhënë edhe rekomandimet për kryerjen e reformës në drejtësi grupet e interesit janë duke diskutuar këto rekomandime. Sot Gjyqtarët kanë organizuar një tryezë për reformën në drejtësi ku merrte pjesë edhe Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, i cili kërkoi kontributin e gjyqtarëve, prokurorëve dhe shërbëtorëve publikë për të kryer një reformë të thellë e gjithëpërfshirëse në drejtësi.

“Kam bindjen më të thellë se çatinë në një shtëpi e rregullojnë më mirë banorët e shtëpisë. Ata e dinë ku pikon çatia. Gjyqtarët e Republikës së Shqipërisë, prokurorët, avokatët, shërbëtorët publikë janë ata që e dinë se ku pikon më mirë se kushdo tjetër, çatia e shërbimit ligjor. Është e vetmja zgjidhje më e mirë që të ndërmarrim një reformë të thellë në drejtësi. Ne nga jashtë, ju nga brenda. Jam i bindur se çdo vendim gjykate i dhënë korrekt është më mirë se çdo ligj tjetër. Nuk ka ligj më të mirë se vendimi i gjykatës”, theksoi Manjani.

Ministri i Drejtësisë i ka bërë thirrje trupës gjyqësore, prokurorëve të mos çfokusohen nga misioni i tyre kushtetues pavarësisht diskutimeve jashtë. “Dua të bëj një thirrje publike, për të gjithë trupën gjyqësore, trupën e prokurorëve, të mos çfokusohen për asnjë arsye nga misioni i tyre kushtetues. Diskutimet për reformën në drejtësi do të ndodhin, por mos të harrojmë se janë po këta prokurorë që arrestojnë dhe dënojnë persona. Të mos çfokusoheni nga asnjë insinuatë, merrni përgjegjësitë ligjore kushtetuese për të kryer misionin tuaj. Thirrje të sinqertë e shumë zyrtare. Shteti vazhdon punën, shërbimi duhet të vazhdojë, pavarësisht diskutimit. Gjyqet vazhdojnë sipas ligjit dhe sipas procedurave kushtetuese në fuqi. Jemi në krye të detyrës, nuk do të thotë se po legjitimojmë parregullsitë”, deklaroi ai.

Manjani tha se edhe juristët janë të interesuar për reformën. “Jam i lumtur të konstatoj se vetë komuniteti i juristëve është i interesuar të distancohet nga praktika korrupsioni. Në sistemin gjyqësor ka njerëz prej mishi e gjaku, që kanë familje që shqetësohen. Vazhdoni të ushtroni detyrën kushtetuese për të dhënë drejtësi”, tha Manjani.

Ministri i Drejtësisë që në fillim të fjalës së tij uroi gjyqtarët për Krishtlindje.

“Në këtë prag Krishtlindje dua të uroj që ta gëzojmë së bashku. Është një festë që t’ua urojmë njeri-tjetrin dhe sigurisht një vit të mbarë për secilin prej jush, në familjet tuaja, në punë e shoqëri. Mos na lëntë shoqëria pa miq e shok, se kështu është shoqëria njerëzore. Na duhen edhe armiqtë, por më mirë miqtë”, u shpreh Manjani.
Ndërkohë, Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë shprehu angazhimin e plotë, për të marrë pjesë në hartimin e ndryshimeve kushtetuese për reformën në drejtësi, duke konsideruar raportin e Komisionit të Venecias.

(m.k/BalkanWeb)

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: