Komisioni i Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale u ndal këtë të martë në Vlorë, ku zhvilloi dëgjesën e radhës me qytetarët, në një klimë debatesh mes përfaqësuesve të mazhorancës dhe opozitës.

Bashkëkryetari socialist i Komisionit, Arbjan Mazniku, theksoi se fokusi i diskutimeve duhet të jetë te mënyra sesi bashkitë zbatojnë kompetencat që kanë dhe jo te ndarja e territorit.

“Është një moment që ne mund të shohim si mund t’i bëjmë bashkitë më efikase dhe më efektive. Si mund të gjenerojnë më shumë të ardhura? Territori nuk duhet të jetë i vetmi faktor determinues, pasi shpesh kemi çuar funksione në vende ku nuk ushtrohen dot”, u shpreh Mazniku.

Ai shtoi se reforma duhet të ketë një ndikim afatgjatë në zhvillimin e vendit dhe jo vetëm për një mandat qeverisës, duke theksuar se nëse Shqipëria synon anëtarësimin në BE deri në vitin 2029, do të nevojiten bashki të forta për të përfituar nga fondet europiane.

Nga ana tjetër, bashkëkryetari demokrat i Komisionit, Luçiano Boçi, deklaroi se Vlora është shembulli më i qartë i dështimit të reformës territoriale të vitit 2014.

Boçi kërkoi që reforma e re të përmbyllet me konsensus mes mazhorancës dhe opozitës, duke paralajmëruar se në të kundërt do të humbiste vlerën.

“Territori nuk lexohet në Parlament, por në terren, në mungesën e shërbimeve. Ka bashki që mezi paguajnë pagat dhe janë të diskriminuara në ndarjen e fondeve. Kryebashkiakët i kanë duart e lidhura nga pushteti qendror”, u shpreh ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb