Deputeti i Partisë Demokratike, Gjin Gjoni, i ftuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24, ka dënuar me tonë të prerë mënyrën se si mazhoranca kaloi projektligjin e reformës territoriale, duke e cilësuar atë si një akt arrogance nga mazhoranca.
Sipas Gjonit, shumica parlamentare thjesht përdori makinerinë e kartonave për të kaluar një reformë që thellon më tej krizën sociale në vend.
“PS thjesht ka ushtruar forcën e kartonave që i ka vjedhur në zgjedhje dhe ndaj ka këtë arrogancë dhe mungesë llogaridhënie drejt qytetarëve. Qytetarët sot janë të irrituar dhe të zhgënjyer. Në radhët e PS-së kishte deputetë që votuan pro reformës edhe pse ishin zotuar para qytetarëve të zonave nga ku vijnë se nuk do ta bënin,” deklaroi deputeti demokrat.
Gjin Gjoni nënvizoi se pasojat e kësaj ndarjeje të re administrative do të jenë me kosto të larta për zonat periferike e rurale, duke përshpejtuar braktisjen e vendit.
“Në vetvete kjo reformë territoriale po nxit shpopullimin, si emigrimin ashtu edhe migrimin brenda vendit drejt zonave më të banuara. Kjo nuk është efektive. Kjo ka ndodhur nga viti 2014 deri në 2026 dhe do të ndodhë edhe në dhjetëvjeçarin e ardhshëm, sepse është një politikë denigruese dhe shpopulluese,” theksoi ai.
I pyetur për hapat e ardhshëm të opozitës, Gjoni konfirmoi se Partia Demokratike do të shfrytëzojë të gjitha rrugët ligjore e politike për të goditur këtë ligj, sapo ai të dekretohet dhe të botohet në Fletoren Zyrtare.
“PD e ka deklaruar se do të vijojë luftën parlamentare, por edhe elementët e tjerë. Duke nisur nga dita që do të dalë ligji dhe botimi në Fletoren Zyrtare, do të marrim të gjithë hapat që ta çojmë ligjin në Gjykatën Kushtetuese për të prekur ato pika të kontestuara kushtetuese. Por nga ana tjetër, nuk mund të lëmë fushën e betejës bosh, duke lënë këta që t’ia falim bashkitë Partisë Socialiste,” përfundoi Gjin Gjoni.
