Kreu i opozitës, Lulzim Basha, ka deklaruar se Reforma Zgjedhore duhet të jetë transparente, gjithëpërfshirëse dhe publike.

Sipas tij, angazhimi kryesor në këtë reformë është ligji i partive politike, veçanërisht financimi i tyre. Gjatë bashkëbisedimit me gazetarët, kreu i PD deklaroi se duhet të marrë fund financimi i partive nga grupet kriminale.

“Së pari, jemi përqendruar te Reforma Zgjedhore. Duhet një reformë e vërtetë zgjedhore, që mund dhe të zbatohet vetëm nga institucione dhe parti që kanë vullnet për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme. Në këtë kuptim, të gjithë ata që janë subjekt i hetimeve penale, janë në kushtet e konfliktit të interesit. Sot kemi insistuar në atë parim që besojmë fort, kërkojmë që ky proces të jetë transparent, gjithëpërfshirës, publik.

Angazhimi kryesor është ligji i partive politike, veçanërisht financimi, sidomos gjatë fushatave. Ne jemi të qartë që t’i jepet fund financimit të partive nga grupet kriminale. Vendi ka një opozitë dhe një parlament monist. Ta nisim me një reformë të financimit të partive politike, përmes një procesi të hapur.

Komisioni për Reformën Zgjedhore nuk ka legjitimitetit, pasi ka në përbërje individë që duhet të ishin pas hekurave, ndaj dhe nuk mund të japë siguri dhe as të përcaktojë rregullat për pjesëmarrjen e partive në zgjedhje.

Ky proces i rëndësishëm kemi kërkuar të drejtohet nga ndërkombëtarët, OSBE, BE dhe SHBA, nga një përfaqësues i parlamentit monist dhe një përfaqësues i opozitës. Këto qëndrime i bëmë të qarta sot në tryezën e thirrur nga ndërkombëtarët”, deklaroi Basha.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb