Dy bashkëkryetarët e komisionit të posaçëm parlamentar për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi zhvilluan një takim këtë të mërkurë me ambasadorin e OSBE në Tiranë, Michel Tarran.
Socialisti Damian Gjiknuri ndau detaje nga takimi duke theksuar se ata kanë kërkuar nga OSBE mbështetje teknike për punën e komisionit
“Praktika tashmë e konsoliduar e këtij komisioni e ka pjesë të rëndësishme jo vetëm mbështetjen teknike nga përfaqësia e OSBE në Tiranë por edhe ndihmën me ekspertizë nga ODIHR për çështje për të cilat palët nuk arrijnë dakordësi”, shkruan Gjiknuri.
Postimi i Gjiknurit
Bashkë me kolegun Bylykbashi patëm kënaqësinë të prisnim në një takim ambasadorin Michel Tarran, kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri. E informuam për hapat e ndërmarra me synim adresimin e plotë të rekomandimeve të ODIHR, përfshirë konstituimin dhe fillimin e punës konkrete të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore. Duke e falenderuar për kontributin e dhënë deri më tani nga OSBE-ja për proceset demokratike në Shqipëri, kërkuam mbështetje teknike për punën e komisionit sipas kalendarit të dakordësuar e miratuar në mbledhjen e fundit. Praktika tashmë e konsoliduar e këtij komisioni e ka pjesë të rëndësishme jo vetëm mbështetjen teknike nga përfaqësia e OSBE në Tiranë por edhe ndihmën me ekspertizë nga ODIHR për çështje për të cilat palët nuk arrijnë dakordësi.
