Drejtori i Përgjithshëm i EBU, Noel Curran, tha pas takimeve sot në Tiranë se rrjeti evropian i transmetuesve publikë do të mbështesë reformimin e Radio Televizionit Shqiptar. EBU mbështet Drejtoreshën e Përgjithshme, Eni Vasili, punën e saj duke vlerësuar bashkëpunimin me Këshillin Drejtues. Noel Curran e bëri këtë deklaratë gjatë një interviste në ambientet e RTSH pasi kishte përfunduar një sërë takimesh në Tiranë.

Drejtori i Përgjithshëm i EBU u takua me drejtuesit e RTSH-së në këtë fillim marsi, me anëtarët e Këshillit Drejtues, me Kryeministrin Edi Rama, me ambasadorin e OSBE-së dhe me të gjithë faktorët që, siç ai tha në intervistë, e kanë kuptuar nevojën për reformimin e RTSH-së.

Zoti Curran zhvilloi një vizitë të plotë në zyrat dhe studiot qendrore të RTSH dhe u njoh më afër me situatën komplekse që po kalon media jonë.

Drejtori Curran ka sjellë një paketë të gjerë rekomandimesh që lidhen me hartën që duhet ndjekur për të kryer një reformë të suksesshme në median publike. Gjatë takimit me drejtuesit e departamenteve ai tha se ishte njohur me raportin e grupit të punës së ekspertëve të EBU, ku pasqyrohej me detaje gjendja aktuale e institucionit, duke treguar edhe në intervistën para largimit se sfidat që ka sot televizioni publik janë të njëjta me ato që kalojnë mediat e tjera publike evropiane.

Duke kujtuar se RTSH ka buxhetin më të ulët sesa të gjithë televizionet publike të rrjetit evropian dhe se teknologjia është tejet e prapambetur, ai theksoi në të gjitha takimet e zhvilluara në Tiranë, edhe në atë me Kryeministrin Rama, nevojën për investime thelbësore që televizioni publik të rrisë përmbajtjen cilësore programative, infrastrukturën teknologjike dhe të jetë në të njëjtin hap me mediat moderne publike. Noel Curran garantoi se si drejtues i EBU do të kërkojë angazhimin e faktorëve politikë të brendshëm, por edhe të Bashkimit Europian, në përmirësimin e situatës financiare, transformimin dhe rimëkëmbjen e RTSH.

Në këtë rrugëtim të vështirë RTSH nuk është vetëm, EBU do të jetë krah jush në çdo hap,” deklaroi drejtori i përgjithshëm i EBU gjatë vizitës në Shqipëri.

Përveç teknologjisë së vjetruar dhe buxhetit shumë të ulët, Noel Curran nënvizoi se RTSH duhet të forcojë marrëdhënien me audiencën në mënyrë që të mbijetojë në këtë treg shumë të vështirë mediatik. Ai tha se mungesa e një matësi të pavarur të audiencës penalizon RTSH, por edhe për këtë çështje ai u shpreh se do të diskutojë për një zgjidhje me drejtuesit e EBU-së. Gjatë takimit me Këshillin Drejtues, anëtarët u njohën me bashkëpunimin e nisur mes EBU-së dhe RTSH për reformimin e institucionit, zbatimin e reformës, rritjen teknologjike, atë programative si edhe digjitalizimin e arkivës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb