Refugjatët afganë në Turqi thonë se ndërmorën udhëtimin e rrezikshëm për t’i shpëtuar jetës nën sundimin e talibanëve.

Refugjatët afganë që janë vendosur ditët e fundit në Turqi thonë se ikën nga vendi i tyre nga frika se ardhja e talebanëve në pushtet do t’ua rrezikonte jetën.

Shakiba është në mesin e refugjatëve që mbërritën në qytetin lindor turk të Vanit gjatë fundjavës ndërsa talibanët pushtuan Kabulin.

“Talibanët na frikësojnë shumë. Nuk do të mund të ishim ulur kështu në praninë e tyre. Ne do të duhej të mbuloheshim plotësisht. Ata i çojnë vajzat e reja në Pakistan, dhe unë kisha frikë nga kjo, kështu që erdha këtu. Përndryshe nuk do të largohesha nga shtëpia ime dhe të përjetoja udhëtimin e vështirë të shoqëruar me uri dhe etje vetëm për të ardhur këtu”, thotë Shakiba, një refugjate afgane.

Për shumicën e këtyre refugjatëve udhëtimi zgjat shumë ditë dhe përfshin kalimin nga Afganistani në Iran para mbërritjes në Turqi. Ata thonë se shumica e udhëtimit është në këmbë dhe në kushte ekstreme të motit.

Por, për shkak të dhunës që ka përfshirë Afganistanin, refugjatët thonë se jeta në vendin e tyre po bëhej e papërballueshme.

“Askush nuk mund të jetojë më në Afganistan. Sa mund të durosh atje? Kjo është arsyeja pse të gjithë ne të rinjtë e kemi lënë vendin tonë. Nuk mund të fitosh të ardhura të mjaftueshme për të mbijetuar në Afganistan. Ka luftime ditë e natë”, thotë Hasibullahu, refugjat afgan.

Për të frenuar fluksin e refugjatëve, Turqia ka filluar ndërtimin e një muri betoni përgjatë kufirit të saj 295 kilometra të gjatë me Iranin dhe ka shtuar praninë e saj ushtarake në rajon. Zyrtarët turq thanë se një mur 156 kilometra i gjatë tashmë është ndërtuar.

Por për shumë afganë, arritja në Turqi nuk u jep fund vështirësive të tyre.

“Edhe pas arritjes këtu, ne lëvizim me frikën se mund të kapemi dhe të deportohemi. Ne nuk mund të punojmë diku ligjërisht. Ne do të bëjmë çdo punë në dispozicion, pastrim, punë në restorant dhe ferma sepse nëse nuk punojmë atëherë nuk ka jetë për ne. Ne duhet të punojmë këtu”, thotë Hasibullahu, refugjat afgan.

Autoritetet turke thonë se në Turqi ndodhen 120,000 refugjatë afganë dhe rreth 300,000 imigrantë afganë pa dokumente.

/VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb