Gjermania po përjeton një rritje drastike të krimeve me motive politike edhe të numrit të ekstremistëve të djathtë. Ministri i Brendshëm i Gjermanisë Dobrindt foli për një “shifër frikësuese”. Ka edhe të huaj që duan të largohen nga Gjermania. Kjo në një kohë kur numri i të huajve, që kërkuan e morën shtetësinë gjermane, shënoi rekord.
Jam lidhur tani në Gjermani me Auron Dodin, në Deutsche Welle.
Auron, përshëndetje. Në ç’përmasa konkrete është rritur dhuna politike në Gjermani?
Auron Dodi: Përshëndetje. Sipas raportit të Zyrës për Mbrojtjen e Kushtetutës, pra shërbimit të fshehtë të brendshëm të Gjermanisë, brenda një viti numri i veprave penale me sfond politik u rrit me gati 50% (47.4%). Ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Alexander Dobrindt e quajti këtë një “shifër frikësuese”, kur paraqiti të martën (10.06.) raportin.
“Për herë të parë”, tha Dobrindti, edhe”numri i ekstremistëve të djathtë në Gjermani kalon kuotën 50.000″vetë(50.250).
Edhe veprat penale të ekstremistëvë të majtë, shënuan në 2024-ën rritje: me 37.9%.
Por në tërësi, të tërheq vëmendjen fakti se tani ushtrojnë akte dhune edhe të rinj, në ndonjë rast minorenë. Sipas raportit, ata radikalizohen shpejt, përmes rrjeteve sociale e në subkulturën e tyre. Ky radikalizim i shpejtë ua vështirëson autoriteteve ndjekjen e tyre.
Objekti i sulmeve të ekstremistëve janë zakonisht migrantët. Por edhe kundërshtarët politikë ose minoritetet, si p.sh. komuniteti hebre.
Ky komunitet, në vitin 2024, u bë objekt sulmesh si i ekstremistëve të djathtë, ashtu edhe të majtë, ndër këta të fundit ekstremistë propalestinezë.
50.000 ekstremistë të djathtë është shifër e madhe. Si duhen përfytyruar këta persona, janë të organizuar?
Fjala është jo vetëm për persona politikisht aktivë. Shërbimet e fshehta gjermane përfshijnë në shifrën 50.000 edhe simpatizantë të ekstremistëve; edhe individë me kontakt sporadik me grupe ekstremiste të djathta. Edhe individë, me bindje ideologjike, pjesërisht ekstremiste të djathta.
Megjithatë duhet theksuar se mbi 14 mijë vetë prej këtij kontigjenti (14.500) konsiderohen të gatshëm të përdorin dhunë.
Për ç’vepra penale bëhet fjalë dhe mbi të gjitha: si shpjegohet një rritje kaq drastike e krimeve me motive të djathta politike?
Ekstremistët kryen në Gjermani kryesisht krime propagande, pra që synojnë përhapjen e përmbajtjeve ekstremiste. Bënë p.sh. vizatime të kryqit të thyer nazist, hodhën parulla të ndaluara; ose shpërndanë filma dhe këngë neonaziste në mediet sociale e në shërbimet e mesazheve.
Nuk munguan as aktet e dhunës: mbi 1000 akte dhune (1.281) u ushtruan, një rritje e lehtë krahasuar me një vit më parë.
Shpjegimin, për rritjen drastike të krimeve të ekstremit të djathtë, mund ta kërkojmë, mendoj, në ndryshimin e shoqërisë gjermane, në theksimin e polarizimit. Janë forcuar ekstremet.
Por interesante është se rritja e numrit përkon me shtimin e anëtarëve të partisë ultra të djathtë, Alternativa për Gjermaninë, AfD.
Partia AfD arriti 50.000 anëtarë, në nëntor të vitit të kaluar, sipas të dhënave të saj. Dhe janë 20.000 anëtarë të AfD-së, që llogariten si ekstremistë të djathtë.
Në raportin e shërbimit të fshehtë të brendshëm të Gjermanisë, shkruhet se “për sa i përket ndikimit politik dhe shoqëror, dhe numrit të anëtarësisë, AfD-ja përfaqëson lojtarin dominues brenda spektrit të ekstremistëve të djathtë.”
Në të njëjtën kohë, mediat gjermane publikuan të martën një informacion, se një në katër migrantë, mendojnë të largohen nga Gjermania. A e ka burimin kjo te situata që përshkrove më sipër?
Jo. Kjo do të ishte një pasqyrë shumë e thjeshtëzuar, e shkaqeve, pse ka migrantë që duan të largohen nga Gjermania. Pjesa më e madhe e migrantëve duan të rrinë përgjithmonë në Gjermani.
Por për t’ju përgjigjur pyetjes: lajmi për largimin e migrantëve erdhi pas një studimi të Institutit për Kërkime në Tregun e Punës dhe në Profesion (IAB). Është një studim përfaqësues, me mbi 50.000 vetë, që u bë në internet.
Në të thuhet se rreth 26 përqind e atyre që kanë emigruar në Gjermani, po mendojnë të largohen përsëri. Madje tre përqind e tyre, ose 300.000 vetë, kanë plane konkrete për të emigruar.
Por: rreth 5.7 milionë migrantë, apo 57% e numrit të përgjithshëm, planifikojnë të qëndrojnë përgjithmonë në Gjermani.
Cilat janë shkaqet kryesore pse duan të largohen këta migrantë nga Gjermania?
Në shkaqet kryesore ata japin p.sh. pakënaqësinë politike; pastaj arsye personale; përmendin barrën tatimore në Gjermani; edhe burokracinë. Këto shkaqe largimi i përmendin si migrantë të punës, ashtu edhe migrantët arsimorë. Refugjatët gjithashtu përmendin përvojat e diskriminimit, si një arsye të rëndësishme.
A luan rol situata sociale e migrantëve në vendimin për kthim?
Po, faktorët socialë janë veçanërisht të rëndësishëm, sipas studimit, për ata që duan të kthehen në vendin e origjinës. Pra lidhjet personale me partnerët, anëtarët e familjes dhe miqtë janë vendimtare.
Shumica e atyre që duan të kthehen, kthehen në Poloni dhe në Rumani. Të tjerë në Turqi dhe Ukrainë. Më pak në Zvicër e Spanjë dhe në SHBA.
Një eksperte e Institutit që bëri sondazhin në internet kujton se vendimi i një migranti për kthim pas varet nga një ndërveprim kompleks, i motiveve individuale: nga gjinia, nga mosha dhe arsimi; sa është integruar në shoqëri dhe ekonomikisht migranti; dhe sa ndihet një migrant i pranuar në shoqëri.
Gjithsesi: kësaj panorame i kundërvihet në njëfarë mënyre një e dhënë tjetër: po kaq migrantë sa deklaruan që kanë plane konkrete për t’u larguar nga Gjermania, morën në vitin 2024 shtetësinë gjermane: 300.000 të huaj.
Kjo është shifër rekord, që nuk ka ndodhur asnjëherë më parë.
Pra situatën mendoj se duhet ta shohim në tërësi dhe si gjithmonë të mos shohim bardhë ose zi.
(BalkanWeb)
