Përpjekjet e Kroacisë për të tërhequr turistët europianë morën një goditje tjetër sot për shkak të të dhënave të reja, që tregojnë se shpërthimi i virusit në vend është ende i vrullshëm, me një rekord prej 219 rastesh të reja në 24 orët e fundit.
“Vendi me 4,19 milionë banorë ka tashmë 1 520 raste aktive”, tha Selia për Krizën e COVID-19.
Në kohën kur filloi kulmi aktual, kishte më shumë se 800 000 turistë në bregdetin kroat të Adriatikut, ku gjermanët përbënin grupin më të madh në mesin e tyre.
Tashmë Italia dhe Austria e kanë cilësuar Kroacinë si zonë të kuqe javën e kaluar, për shkak të situatës së saj epidemiologjike.
Një tjetër fqinj i BE-së, Sllovenia, u ka kërkuar shtetasve të saj që të kthehen nga pushimet e tyre.
“Situata në Kroaci po përkeqësohet në mënyrë dramatike. Të dhënat mbi infeksionet tregojnë se situata është me të vërtetë e keqe”, tha zëdhënësi i qeverisë sllovene për COVID-19, Jelko Kacin, duke theksuar se kushdo që kthehet në Slloveni pas së premtes do t’i nënshtrohet karantinës.
