Harry Kane mund të largohet nga Bayern Munich, kjo si pasojë e një klauzolë të përfshirë në kontratë, e zbuluar nga e përditshmja gjermane Bild. Kapiteni i “Tre Luanëve” është nën kontratë me Bayern edhe për dy vite të tjera, por në 2023, kur firmosi kontratën me gjigandët gjerman, Kane dhe përfaqësuesit e tij ligjor lanë një dritare të hapur për t’u rikthyer sërish në Angli.

Në fund të këtij sezoni, Harry Kane mund të largohet, nëse ky është vullneti i tij, por më parë çdo skuadër duhet të paguaj 56,3 milionë paund, ky është çmimi i fiksuar në kontratë. I pyetur pak kohë më parë në lidhje me këtë opsion, Harry Kane ishte i prerë, duke theksuar se në Mynih ndihet shumë mirë, për më tepër që edhe familja e tij është përshtatur shumë mirë.

Lajmi i bërë publik nga Bild ka bërë jehonë edhe në Angli ku Daily Mail shkruan se ka vetëm një arsye që mund të rikthejë Harry Kane në ishull, rekordi i Alen Shearer. Kane u largua nga Anglia me 213 gola të shënuar në Premier League, vetëm 47 gola larg rekordit të Shearer. Nëse “bomberi” anglez e ka këtë si objektiv atëherë kjo është vera e duhur për t’u larguar përpara se të jetë vonë.

Pavarësisht këtij tundimi, për të thyer këtë rekord, duket pak e vështirë që Kane të largohet nga Bayern, një skuadër që i dha mundësinë të fitonte trofe në karrierë. Me paraqitjet e tij, Kane është kthyer në një idhull të tifozëve te Bayern pasi ka realizuar 98 gola në 103 ndeshje, shifra të jashtëzakonshme.

Edhe këtë sezon sulmuesi anglez ka shfaqur një formë të shkëlqyer teksa ka realizuar 13 gola, dy herë më shumë se sa Haaland. Bayern as që ka ndërmend të heq dorë nga Harry Kane, madje po mendojnë të rinovojnë kontratën deri në 2028.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb