Rekordmeni i Botës në garat e 100 dhe 200 metrave, xhamajkani Usain Bolt, ka parashikuar tërheqjen e tij nga pistat e atletikës në vitin 2017. Diçka të tillë e konfirmoi vetë 28-vjeçari amerikano-verior në një intervistë pas një spoti publicitar të kompanisë së veshjeve sportive “Puma”. “Më kanë bindur për të qëndruar edhe 1 vit më tepër, gjithsesi vetëm për kaq, pasi në 2017-n unë do të tërhiqem përfundimisht”. Në vijim Bolt pranoi se do të punojë fort deri në momentin që do të lërë sportin e atletikës për t’u përmirësuar akoma edhe më tepër, pasi dëshiron që emri i tij të kujtohet gjithmonë për ato çfarë ka arritur. Sprinteri xhamajkan, i cili për pjesën më të madhe të vitit 2014 ka qëndruar jashtë pistave të atletikës për shkak të disa dëmtimeve, në intervistën e tij foli edhe për atë që cilësohet si rivali më i madh i Bolt, amerikanin Xhastin Gatlin. “E kam ndierë veten sikur të isha tërhequr nga sporti kur kam dëgjuar se si flisnin njerëzit për Xhastin Gatlin. M’u duk diçka argëtuese”. Atleti amerikan është shndërruar në numrin 1 të botës, në renditjen botërore gjatë mungesës së Boltit. Në një nga garat e Diamond League të zhvilluar në Bruksel, Gatlin fitoi në 100 metra me kohën 9,77 sekonda. Për këtë sprinteri amerikan u përgëzua edhe nga vetë Usain Bolt. “Gatlin ka bërë gjithçka në mënyrën më të mirë. Ai me paraqitjet e tij e ka bërë sportin e atletikës interesant edhe gjatë mungesës sime. Tashmë njerëzit mezi po presin momentin për të na parë neve në duel”.
(er.nu/GSH/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: