Agjencia për zbatim të ligjit e Bashkimit Evropian ka shënjestruar propagandën online të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) në një operacion të koordinuar kundër përmbajtjes terroriste online.

IRGC-ja është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, BE-ja, dhe vende të tjera, përfshirë edhe Kosova.

Agjencia evropiane policore, EUROPOL, njoftoi se në këtë operacion janë shënjestruar 14.200 postime të lidhura me Gardën Revolucionare.

Aksioni u përqendrua në identifikimin dhe pengimin e pranisë online të grupit, që “përdorej për të përhapur propagandë, për të rekrutuar mbështetës dhe për të mbledhur fonde”, u tha në njoftim.

EUROPOL tha se 19 shtete bashkuan forcat për të identifikuar dhe ndërprerë përmbajtjen e lidhur me Gardën iraniane në internet: Austria, Belgjika, Bosnjë e Hercegovina, Bullgaria, Republika Çeke, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Gjermania, Greqia, Hungaria, Italia, Holanda, Portugalia, Spanja, Suedia, Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara.

Nga 13 shkurti deri më 28 prill, autoritetet nga këto shtete punuan së bashku, nën koordinimin e EUROPOL-it, duke mbledhur të dhëna, duke verifikuar caqet dhe duke verifikuar platforma online.

Sipas agjencisë së BE-së, përmbajtja u shpërnda në platformat kryesore të mediave sociale, si dhe në shërbime të transmetimit online, në faqe të blogjeve e ueb-faqe të pavarura.

Përmbajtja propaganduese, sipas EURPOL-it, u identifikua në disa gjuhë, përfshirë arabisht, anglisht, frëngjisht, persisht e spanjisht. Përmbajtja ishte në formate të ndryshme, sikurse fjalime që kishin narrativë fetarë të martizimit të ndërthurura me mesazhe politike e deri te video të gjeneruara me inteligjencë artificiale që lavdëronin Gardën Revolucionare Islamike dhe bënin thirrje për hakmarrje për vrasjen e liderit suprem iranian, Ali Khamenei.

Khameni u vra gjatë sulmeve ajrore në nisje të luftës së SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit më 28 shkurt.

EUROPOL tha se ndërlidhja e faqeve të internetit të lidhura me Gardën, që operonin në shumë gjuhë, ofron informacione të rëndësishme se si funksionon ky grup online.

Pasi u identifikuan mbi 14.000 postime të lidhura me Gardën – e cila në X ka 150.000 ndjekës – llogaria e Gardës në këtë platformë u bllokua nga BE-ja, ndërkaq linqe të tjera, të lidhura me disa platforma ose janë hequr ose po hetohen, tha EUROPOL.

Ky operacion gjeti se Garda iraniane vazhdon të zgjerojë praninë e saj digjitale. Hetuesit gjetën se ajo ka rrjete online në shumë vende, duke nisur nga Rusia e SHBA-ja, që i mundësojnë të ketë prani në internet.

Autoritetet po ashtu identifikuan transaksione që janë kryer duke përdorur kriptovaluta me qëllim amplifikimin e operacione online, një taktikë, që sipas EUROPOL-it, është e dizajnuar për të shmangur kontrollet tradicionale financuese.

Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit është krahu ideologjik i ushtrisë së Teheranit dhe u krijua pas revolucionit të vitit 1979 për ta mbrojtur udhëheqjen klerikale.

Garda kontrollon ose zotëron kompani në gjithë ekonominë iraniane, përfshirë sektorë strategjikë kryesorë./REL

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb