Rektori i Universitetit “Luarasi”, Et’hem Ruka feston sot 75-vjetorin e ditëlindjes. Ka qenë pikërisht gazetari Luan Rama ai që ka kujtuar këtë ditë të veçantë për profesorin, ku dhe e ka uruar publikisht.

Sipas Luan Ramës, Ruka është shembull i intelektualit që me thjeshtësinë e fisme i shërben atdheut.

Mes të tjerash Luan Rama shkruan se lartësitë e viteve për Rukën janë po aq edhe lartësi arritjesh, punësh dhe veprash të dobishme.

MESAZHI I URIMIT TË LUAN RAMËS
Në 75-vjetorin e lindjes:
ETHEM RUKA, SHEMBULLI I INTELEKTUALIT ME THJESHTËSINË E FISME DHE DINJITETIN E SHËRBIMIT NDAJ ATDHEUT
Mbase dikujt mund t’i duket patetik apo ndoshta edhe i tepruar titulli që kam zgjedhur për t’u prirë këtyre radhëve dedikuar një shoku e një kolegu, me të cilin angazhimi jo vetëm politik na bëri bashkë këtu e tridhjetë e ca vjet më parë, por, jam i bindur se të gjithë ata që e njohin Profesor Ethem Rukën, të gjithë ata që kanë punuar me të, të gjithë ata që e kanë mësuar kur ai qe nxënës apo student, apo të tjerët, që kanë mësuar prej tij ngaqë e kanë apo vazhdojnë ta kenë pedagog, kolegët e shkencës, por edhe ata të politikës, pa i veçuar këta të fundit prej përkatësisë së tyre partiake, do të më japin të drejtë.
Sepse, Ethem Ruka është realisht një qytetar dhe intelektual i angazhuar me shumë përkushtim dhe devocion për t’i shërbyer popullit, për t’i shërbyer atdheut.
Po, po. Po e përsëris; për t’i shërbyer popullit, për t’i shërbyer ardheut.
Si pedagog në Fakuktetin e Shkencave Natyrore të Universitetit të Tiranës, e mandej edhe si shkencëtar i diplomuar në një nga universitetet më të famshëm të Parisit, në universitetit “Pierre et Marie Cyrie”, me kontributet pedagogjike e shkencore që sot përmblidhen në mbi 160 tituj veprash të botuara, apo edhe me angazhimin politik në momentet më të vështira që kalonte vendi në kapërcyell të sistemeve, Ethem Ruka ka shënjuar gjurmë që atë padyshim e bëjnë krenar. Ndërsa ne të tjerëve, na imponojnë respekt, mirënjohje, nderim.
Sot Profesor Ethem Ruka bën 75 vjet. Lartësitë e viteve për të janë po aq edhe lartësi arritjesh, janë lartësi punësh dhe veprash të dobishme.
Janë lartësi ku Ethem Ruka ia ka dalë të mbërrijë vetëm falë punës dhe përkushtimit me shumë këmbëngulje e sakrificë, si një qytetar i mirë i vendit të tij, si një punëtor i palodhur i dijes, i arsimit dhe shkencës, si veprimtar shoqëror dhe politik.
Ndaj, nëse sot në 75-vjetorin e lindjes së tij do të më pyesnit se çfarë përfaqëson emri i Ethem Rukës, do t’ju përgjigjesha pa asnjë mëdyshje: Ethem Ruka është shembulli i intelektualit që përveçohet prej thjeshtësisë së fisme dhe dinjitetit me të cilin ai i ka shërbyer dhe vazhdon t’i shërbejë atdheut.
Faleminderit Profesor Ethem Ruka!
Të paçim or tungjatjeta!

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb