Vendimi i Gjykatës së Apelit për t’i dhënë vulën Sali Berishës ka ardhur si rrufe në qiell të hapur për strukturat e Lulzim Bashës. Kjo u vu re gjatë dy mbledhjeve që Lulzim Basha thirri me urgjencë, atë me kryesinë dhe Kolegjin e Kryetarëve pasditen e së hënës.

Sipas gazetarit Osman Stafa, shumë prej zyrtarëve të grupimit të grupimit Basha, ishin të shqetësuar, të mërzitur dhe pa një ide të qartë se çfarë do të ndodhë mbi ta.

Sipas burimeve gjatë këtyre mbledhjeve janë hedhur 4 ide se çfarë mund të ndodhë me këtë grup.

Disa prej anëtarëve të këtyre strukturave kërkojnë Rekurs në Gjykatën e Lartë. Një tjetër ide është mbyllja e ballafaqimit ligjor dhe krijimi i një partie të re. Një grup i konsiderueshëm e shikojnë momentin e dhënies së vulës Sali Berishës si ndarje përfundimtare nga berishizmi, dhe për këtë sipas tyre ata duhet tu ofrojnë qytetarëve një mundësi tjetër, larg kësaj fryme.

Mundësia e tretë është që secili të shohë rrugën e tij, duke mos u angazhuar më në politikë pasi me ikjen e vulës ikën edhe infrastruktura apo dhe strukturat, votuesit e partisë. Ideja e 4 e hedhur është ajo e një fraksioni brenda PD, por që kjo nuk është mbështetur nga shumica e anetarëve pasi refuzohet njohja e Sali Berishës si kryetar.

Asgjë nuk është vendosur se çfarë do të ndodhë me këtë grupim, pasi Lulzim Basha në të dyja këto mbledhje të gjata ka kërkuar më shumë që të kuptojë idetë që kanë të besuarit e tij sesa të shkojë me propozime konkrete se çfarë rruge do të ndjekin.

Sipas burimeve vendimi i Apelit pritet të ndikojë edhe deputetet të cilët janë rreshtuar krah Bashës por që publikisht kanë deklaruar se do të shkojnë pas vulës, cilido që do ta marrë atë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: