Ndërpritet mbledhja e radhës e Këshillit Bashkiak të Vlorës. Një mbledhje e cila u nis me debate që në fillimin e saj dhe përfundoi si e tillë. Mbledhja e Këshillit Bashkiak u anulua për shkak se nuk u mblodhën votat e mjaftueshme për të miratuar rendin e ditës. Sipas këshilltarëve të opozitës, rendi i ditës kishte shumë pika për diskutim, 21 pika të përcaktuara dhe gjithashtu edhe pikat e ndryshme. Kjo gjë bëri që të nisnin diskutimet në sallë për sa i përket fluksit të lartë të pikave për diskutim në rendin e ditës.

Elpiniqi Merkuri, kryetare e Këshillit Bashkiak të Vlorës, pas diskutimeve mes këshilltarëve e kaloi rendin e ditës në votim. Prej procesit të votimit u numëruan 25 vota pro për rendin e ditës, çka bëri që ky rend dite të mos kalojë, duke u “djegur” për një votë. Sipas legjislacionit në fuqi, që një rend dite të kalojë duhet të ketë të paktën 50%+1 votë të numrit të anëtarëve të Këshillit Bashkiak, më konkretisht 26 vota në total.

Pas votimit ka nisur largimi nga salla e Këshillit Bashkiak nga opozita. Atird Hoxha, kreu i këshilltarëve të opozitës, sqaron përse u anulua rendi i ditës dhe faktin përse janë larguar nga salla. Nesër në orën 9 të mëngjesit është vendosur që të mblidhet sërish Këshilli Bashkiak për të votuar kalimin e ndihmës ekonomike, teksa pritet të përcaktohet data se kur do të zhvillohet mbledhja e radhës e Këshillit Bashkiak.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb