Drejtoria Vendore e Policisë Korçë, Renea, FNSH, Shqiponjat, dhe Forca e Posaçme Operacionale janë duke zhvilluar operacion masiv në Pogradec.

Operacioni po zhvillohet për goditjen e rasteve të shitjes së lëndëve narkotike, gjetjen e armëve pa leje dhe kapjen e personave në kërkim.

Deri në këto momente janë zhvilluar dhjetëra kontrolle, ndërsa burime bëjnë me dije se janë sekuestruar armë zjarri, armë gjahu e armë të ftohta, shuma parash e lëndë narkotike.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Mësohet se RENEA ka rrethuar banesën të kërkuarit Erjon Llapushi, dhe po ushtron kontroll të imtësishëm në brendësi të banesës së tij.

Burime nga Policia bëjnë me dije se do ketë njoftim për mediat kur të përfundojë operacioni.

Kush është Erjon Llapushi
Erjon Llapushi, një nga personat e shpallur në kërkim banesa e të cilit po është pjesë e kontrolleve të zhvilluara sot në sajë të operacionit masiv që po zhvillohet në Pogradec, nuk është një emër i panjohur për drejtësinë.

Në vitin 2007, Erjon Llapushi ka tentuar të vrasë me armë zjarri Andi Sukollarin.
Një vit më pas, në një lokal në qytetin e Pogradecit, Llapushi ka plagosur Mariglen Topuzin, i cili fatmirësisht i ka mbijetuar plagëve.

Në vitin 2019, Erjon Llapushi në bashkëpunim me Saimir Frahollin, përmes presionit dhe shantazhit kanë detyruar biznesmenë të ndryshëm nga Pogradeci t’u dhurojnë aksione në kompanitë e tyre. Në dosjen e prokurorisë që disponon Neës24 janë zbardhur dëshmitë e aksionerëve të kompanive, ku iu shpjegohet hetuesve brutaliteti me të cilën vepronin anëtarët e bandës, me qëllim që ata të firmosnin kontratat për dhurimin e aksioneve.

Në dhjetor të 2018 dy vëllezër biznesmenë kanë kërkuar ndihmë nga institucionet, pasi ndiheshin të rrezikuar për jetën e tyre dhe të familjarëve. Ata kanë informuar prokurorinë se për këtë shkak kishin pezulluar edhe punën. Më pas, aksionet i shitën tek një person i tretë.
Në 29 maj 2021 Erjon Llapushi u arrestua sërish pasi po transportonte 24 emigrantë të paligjshëm drejt vendeve të BE-së.

Ndërkohë, në janar të vitit 2020, Erjon Llapushi ishte objekt i Operacionit Forca e Ligjit, por nuk iu sekuestrua asnjë pasuri.

Ndërsa në tetor të vitit 2021, Llapushi vrau një kamerier në një restorant, Gazment Kurmaku, i cili nuk e lejoi të ulej në një nga tavolinat, që ishte paraprakisht e rezervuar.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb