Deputetja demokrate Dhurata Çupi ka zbuluar nga foltorja e Kuvendit ditën e sotme një hartë në të cilën sipas saj paraqiten koncesionet në vend.

Çupi u shpreh se koncesionet shtrihen nga pika më veriore e Shqipërisë deri në atë më fundore, ndërsa shtoi se harta është e shqiptarëve, por koncesionet janë të qeveritarëve.

Duke replikuar edhe me zv/kryeministren Balluku, Çupi u shpreh se nuk është turp të bësh koncesione, por është turp të bësh korrupsion me to.

Të nderuar qytetarë dhe kolegë. Doni të dini çfarë pamje kanë koncesionet. Kam sjellë këtë hartën. Kjo është harta e koncesioneve, nga maja më veriore e Shqipërisë deri në pikën më fundore të vendit. Kjo është harta e shqiptarëve dhe koncesionet janë të qeveritarëve.

Sa për sqarim, nuk jam kundër koncesioneve apo PPP, por jam kundër përdorimit të tyre për të zhvatur pasuritë publike dhe buxhetin e shtetit përmes korrupsionit. Jam kundër korrupsionit dhe zonja zv/kryeministre thatë se nuk është turp të bësh koncesion, jo nuk është, por është turp të bësh korrupsion me koncesionet.

Korrupsioni ekziston në të gjitha hallkat e qeverisë, është konkluzion i DASH, i cili ngre shqetësime për korrupsionin dhe koncesionet”, u shpreh ajo mes të tjerash.

Pjesë nga fjala e Dhurata Çupit

Nëse doni të dini ç’pamje kanë konçesionet në Shqipëri, kam sjellë një hartë me vete! Kjo është harta e Shqipërisë dhe siç e shihni, koncesionet, rreth 200 të tilla, janë të përhapur në të gjithë vendin. Sa për sqarim! Nuk jam kundër koncesioneve! Nuk jam kundër Partneritetit Publik Privat! Por jam kundër përdorimit të koncesioneve për të zhvatur pasuritë publike ose buxhetin e shtetit përmes korrupsionit! Jam kundër korrupsionit! Doni të dini ç’pamje ka korrupsioni? Ja ku e keni fotografinë më domethënëse të tij.

Mungon kryesori, por imagjinojeni foton bashkë me të. Kjo është qeveria dhe kryeministri kampion i korrupsionit.

Gjatë drejtimit të vendit nga Edi Rama në 2 drejtime ka patur rritje të pandalshme.
1. Rritja e kontratave koncesionare korruptive
2. Rritja e çmimeve për qytetarët

Të dyja janë fatura që paguhen direkt nga shqiptarët.

Ajo që njerezit ndiejnë përditë është fatura e çmimeve, por , realisht, vrasësi kryesor i ekonomisë sonë të përbashkët dhe i ekonomisë së familjeve tona është korrupsioni.

Po ju citoj një vlerësim të një viti me parë.

“Korrupsioni ekziston në të gjitha degët dhe nivelet e qeverisë, përfshirë prokurimet publike dhe partneritetet publike dhe private”.

Ky nuk është fjalori i opozitës. Nuk është akuzë politike , që vjen si pjesë e luftës politike.

Është konkluzioni i një viti më parë nga Departamenti amerikan i Shtetit, i cili ngre shqetësime të forta për korrupsionin me koncesionet.

Le t’i marrim gjërat me radhë.

Si e paguajnë qytetarët korrupsionin me koncesione dhe Partineritet Publik Privat? PPP-të e famshme, që janë shndërruar në mekanizëm pasurimi të paligjshëm dhe jo zhvillimi apo interesi publik. Vetëm këtë vit, për paketën e kontratave koncesionare të kësaj qeverie, qytetarët shqiptarë do të paguajnë më shtrenjtë përmes buxhetit që mbushet me taksat e paguara prej nesh.

Kontrata për Rrugën e Arbrit, për të cilën kam vite që flas dhe nxjerr në pah abuzimet e rënda, është kontrata më e shtrenjtë.

Kostoja e saj këtë vit do të rritet me disa miliarda lekë. Çfarë përfitojnë qytetarët? Deri tani asgjë, përveç disa inaugurimeve elektorae dhe qesharake të rrugës.

Rruga e Arbrit akoma nuk ka përfunduar, siç parashikohej në kontratë, por ne vazhdojmë të paguajmë shumë më tepër, në mungesë të plotë transparence se ku shkojnë paratë tona.

Askush nuk mund të thotë se kur do të përfundojë rruga, megjithëse paratë derdhen lumë nga qeveria për një nga kompanitë e saj më të dashura.

Pse qytetarët janë ata që e paguajnë më shumë korrupsionin?

Sepse kështu ka vendosur qeveria dhe kryeministri Edi Rama me një kontratë tjetër skandaloze korruptive.

Shërbimet laboratorike spitalore është një koncesion nën hetim për korrupsion.

Përmes kësaj kontrate shumë miliardëshe, nga me të shtrenjtat e kësaj qeverie, qytetarët duhet t’i kishin të garantuar analizat në shërbimin publik spitalor në një kohë të arsyeshme. Asnjëra nuk ndodh. Spitalet dhe klinikat private janë plot e përplot me njerëz që bëjnë analiza me rekomandim të mjekut shtetëror, sepse në publik duhet të presësj gjatë dhe jo çdo analizë është e disponueshme.

Nëse nuk ke para sot, njeriu vdes!

Gjendja në sistemin shëndetësor nuk është ajo që shohim në fotografitë e udhëheqësve tanë, kur operohen në spital.  Mungesat janë të tmerrshme, si në njerëz, edhe në shërbim, sepse kjo qeveri vjedh!

Para dy javësh, dikush që njoh, me shqetësime kardiake, iu drejtua urgjencës për ndihmë. Mori vetëm vizitën e mjekut aty. Çdo gjë tjetër e kreu në privat, sepse tek urgjenca nuk ofrohej asgjë. As edhe një eko.

Të na rrojnë llaçi dhe tullat e reja, se për shërbim njerëzit janë të lënë në mëshirë të fatit. Dhe kur me don se paguajnë siguracione shëndetësore, kur mendon se paguajmë taksa dhe ato përfundojnë në xhepa pushtetarësh, kjo është situatë ulëritëse.

Po a ka gjë më kriminale sesa Ministria e Shëndetësisë të nxjerrë urdhër me shkrim që të mos kalohet një numër i përcaktuar operacionesh mujore, se nuk ka para për të paguar koncesionarin tjetër famëkeq të sterilizimit të seteve kirurgjikale?

Nuk është parë dhe dëgjuar ndonjëherë një histori e tillë makabre në ndonjë vend normal të botës. Dhe kjo është fytyra e shëmtuar, kriminale, vrastare e korrupsionit të kësaj qeverie.

Shqiptarët nuk e paguajnë vetëm me para korrupsionin! E paguajnë me jetë! Dhe ky është çmimi më i lartë që ne sot po i paguajmë qeverisë më të korruptuar në Europë!

E keqja e korrupsionit sot është se ka zënë vend në çdo cep të qeverisjes! Dhe qendron si në një piedestal të këtoj pushteti mu mbi fushën e plehrave të Tiranës. Aty ku sot duhet të ishte ndërtuar një incinerator, por që korrupsioni nuk e la të ndërtohej kurrë!

Çfarë haraçi i paguajmë ne korrupsionit në këtë rast? Ne paguajmë miliona, dhjetëra milionë, do të paguajmë qindra milionë euro për një shërbim që nuk e marrim. Disa njerëz janë vendosur para drejtësisë për këtë. Por ne e dimë se nuk është bërë drejtësi, përsa kohë ata që dhanë urdhër, që e projektuan, që e financuan dhe vazhdojnë ta financojnë këtë kryevepër të korrupsionit na bëjnë akoma moral për drejtësinë nga majat më të larta të pushtetit.

Lista e korrupsionit që paguajnë sot shqiptarët nuk ka fund. Shikoni edhe rastin më të ri të drejtorëve në bashkinë e Tiranës. Edhe këtu, kanë ngrënë kumbullua e fiq pas shpine të kryetarit të bashkisë, ndërsa ai punonte me ndershmëri dhe përkushtim për qytetin. A ka njeri në botë ta besojë këtë? Shpresoj të mos e besojë as SPAK-u.

Unë e di që Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion ka një punë të vështirë përpara. E di edhe që statistikat janë të rëndësishme për një institucion, veçanërisht,
Kur është i ri dhe nën presion për rezultate të dhënies fund të pandëshkueshmërisë! Por, të nderuar prokurorë të SPAK-ut, peshku qelbet nga koka! Nuk ka për të patur luftë të vërtetë ndaj korrupsionit në Shqipëri, nëse nuk hetohen peshqit e mëdhenj. Pa një zbatim të vërtetë të ligjit, nuk mund të ketë as drejtësi, as luftë reale kundër korrupsionit. Do të ketë vetëm kryeministër që i kërcet dhëmbët drejtësisë, kur i preket interesi personal, sepse e di që drejtësia nuk do të jetë kurrë aq e fuqishme sa të marrë nën hetim edhe kryeministrin e vendit!

Por di edhe diçka tjetër!

Një qeverisje, një sistem, një shoqëri nuk shërohet dot nga ndëshkimi i ligjit. Ne mund të shërohemi duke e respektuar ligjin. Dhe në këtë pikë u takon të rinjve të bëjnë luftën për ne!

Me një mentalitet të ri, të papërlyer, me dëshirën për t’i çuar gjërat përpara është mision i të rinjve të mos ikin jashtë, por të qendrojnë këtu, të luftojnë dhe të ndryshojnë vendin!

Është mision i të rinjve të sfidojnë korrupsionin dhe të fitojnë! Që Shqipëria të mos ketë më fytyrën e përçudnuar dhe të kalbur nga korrupsioni të qeverisjes së sotme!

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb