NGA: BRIKENA METAJ
GJIROKASTER- Kanë kaluar plot 45 vjet prej vitit të largët 1971, kohë kur u krijua instituti i Lartë Pedagogjik në Gjirokastër, aty ku ka fillesat Universiteti i sotëm. Universiteti “Eqrem Cabej” i Gjirokastrës është sot institucioni më i rëndësishëm arsimor, shkencor e kulturor i rajonit jugor të Shqipërisë. Emërtimin si universitet ky institucion i rëndësishëm arsimor e mori në vitin 1991, por fillesat e tij janë vite më parë. E njohur për traditën e vetë arsimdashëse, Gjirokastra ka patur një traditë dhe përvojë të konsiderueshme në arsim për t’u konkluduar në atë që sot njihet nga të gjithë si Universiteti i Gjirokastrës. Historia fillon në vitin 1968 kur u hap fillimisht fakulteti ekonomik si pjesë e filialit të Universitetit të Tiranës, i cili vazhdoi për 11 vite me radhë.
Një vit më vonë (1969) hapet dhe dega e Agronomisë, si Filial i institutit të Lartë Bujqësor, e cila zgjati 10 vjet. Po në këtë vit u hap gjithashtu instituti Pedagogjik 2-vjeçar pa shkëputje nga puna për përgatitjen e mësuesve për specialitete të tilla si Gjuhë – Letërsi, Histori – Gjeografi, Biologji – Kimi, Matematikë – Fizikë. Gjithashtu, u hap dhe funksionoi për 5 vjet, Filiali i institutit të Kulturës Fizike “Vojo Kushi”. Dega e përgatitjes së mësuesve për shkollën fillore është hapur në vitin 1981,ndërsa në vitin 1986 u hap dega e Gjuhës dhe Letërsisë shqipe. Vit pas viti universiteti i Gjirokastrës njohu rritje dhe zgjerim. Kulmin e vet ky universitet e ka patur në fillim të viteve 2000 kur ka shënuar edhe numrin më të lartë të studentëve, me një shifër që shkonte në rreth 5 mijë studentë në total me nga 150 studentë në disa prej degëve më të preferuara të këtij universiteti.
Jo pak breza kanë dalë nga auditoret e këtij universiteti. Në jetën e vet 45-vjecare si universitet, ka diplomuar studentë në të dy sistemet e studimit, 70 % e të cilëve janë punësuar në profilet përkatëse. Një staf i kualifikuar ka shërbyer brenda këtyre ambienteve. Emra të njohur si Tasim Gjokutaj, gjuhëtari Valter Memisha apo shkrimtari Viron Graci kanë qenë pjesë e rëndësishme e këtij universiteti.
Universiteti “Eqrem Cabej” ka qenë një faktor i rëndësishëm ndikimi në rajonin e jugut. Sipas profesor Gentian Ruspi, kontributi i tij i ka kaluar kufijtë rajonalë, pasi veprimtaria e këtij universiteti ka qenë në vite me impakt kombëtar.
Ndër vite ky universitet ka patur uljet e ngritjet e veta. Faktorët e këtyre zhvillimeve kanë qenë të shumtë e jo rrallëherë të diskutueshëm. Ajo që vihet re është rënia e influencës së tij në sektorin arsimor prej disa vitesh. Sipas pedagogëve, një nga ndikimet më të mëdha në këtë aspekt e ka dhënë hapja e universiteteve të tjera si ai i Vlorës apo i Sarandës, cka solli një ulje të ndjeshme të numrit të studentëve të regjistruar. Liberalizimi i universiteteve i dha goditjen e dytë, duke e ulur edhe më tej nivelin e studentëve që u bënë pjesë e këtyre auditoreve. Pasojat e të gjithë këtyre faktorëve sollën edhe cënimin e imazhit pozitiv, që ekzistonte dikur për universitetin “Eqrem Çabej”. Ai tashmë mbeti i aneksuar, duke u konsideruar si një zgjedhje e dytë, për një pjesë të mirë të studentëve. Zgjedhja e parë, ai cilësohet për një pjesë tjetër, kryesisht për shkak të afërsisë gjeografike apo rrethanave ekonomike. 1800 studentë studiojnë sot në auditoret e universitetit të Gjirokastrës. Një shifër e kënaqshme, por jo e mjaftueshme e shprehur kjo edhe nga vetë drejtues e pedagogë të këtij universiteti.
Degët më të frekuentuara në vite në këtë unviersitet kanë qenë Ekonomi – Financë, Histori – Gjeografi apo infermieri E Përgjithshme. Por krahas tyre ka edhe degë ku numri i studentëve nuk i kalon 10 apo edhe më pak të tilla si Matematikë – Fizikë apo Gjuhë italiane. Pedagogë të universitetit pohojnë se mungesa e studentëve në këto profile është një kambanë alarmi për të ardhmen, pasi duket se këto profesione po mbeten pa profesionistë. Pavarësisht kësaj, sot Universiteti i Gjirokastrës është i kompletuar në të tre ciklet e studimit me rreth 50 programe studimi me kohë të plotë dhe të pjesshme. Universiteti më i madh në jug të vendit ka pasur dhe vijon të ketë bashkëpunime me disa prej universiteteve perëndimore dhe i përfshirë në shumë programe bashkëpunimi. Por sa vlejnë të gjitha këto për atë që ky universitet pohon si misionin e vet: Krijimin e kapaciteteve reale për shoqërinë.
Në pamje të parë fasada e universitetit që mban emrin e një prej gjuhëtarëve më të mëdhenj të gjuhës shqipe “Eqrem Çabej”, ka mbetur ndër vite e pandryshuar. Gjithçka nis nga kjo barakë e braktisur në hyrje të universitetit, si një njollë e shëmtuar në institucionin më të rëndësishëm arsimor në rajon. Ndërsa përmenden këto efekte negative, në brendësi të universitetit të Gjirokastrës, infrastruktura flet për të kundërtën. Ky është ndoshta ndër të paktët universitete publike në vend, me një laborator të plotë informatike dhe një bibliotekë të pasur. Por, ajo që universiteti ka humbur, në përmasa të frikshme, është tërheqja e potencialit të duhur studentor. Politikat arsimore, liberalizimi i arsimit, hapja e universiteteve jopublike ishin ato që i dhanë shtysën drejt rënies një prej universiteteve më të mira në vend, që tashmë po përpiqet të rimëkëmbet, në një kohë kur qytete si Gjirokastra kanë shumë pak për t’u ofruar të rinjve që synojnë të largohen drejt një tregu më të sigurt pune. Në fund, ajo që sërish mbetet si pikë e rëndësishme diskutimi është vijimësia e këtij universiteti që është edhe frymëmarrja e qytetit të gurtë, përpjekjet e të cilit duken të pamjaftueshme për t’i rikthyer atij emrin dhe lavdinë e dikurshme.
(ed.me/BalkanWeb)
