Që prej ndryshimeve konsensuale kushtetuese të vitit 2008, të shoqëruara edhe me ndryshimin e sistemit zgjedhor, debati nëse Shqipëria është bërë një vend më i mirë apo më i keq nuk po shteron. Megjithëse shumica e zërave politikë rebelë apo atyre të lirë të medias e shoqërisë civile këmbëngulin në përkeqësimin e mjedisit politik e ekonomik, partitë e mëdha tradicionale PS e PD vazhdojnë të këmbëngulin në të kundërtën.
Premisa e ndryshimeve të asokohe që u votuan nga dy partitë e mëdha për stabilitet politik më të madh dhe një parlament më elitar se ai i sistemit mazhoritar, prodhuan në fakt dy rezultate krejt të ndryshme. Stabiliteti degradoi vit pas viti në gjysmë autokraci, ndërsa parlamenti dhe për pasojë edhe qeverisja në kriminalizim e korruptim progresiv. E nuk kishte si të ndodhte ndryshe kur ndryshimet ishin sebepi për më shumë kontroll të kryetarëve të partive mbi sistemin politik, ndërkohë që demokracia kushtetuese shtyn në të kundërt drejt kontrollit të institucioneve mbi udhëheqësit.
Së dyti, listat e mbyllura nuk prodhuan “elitarë”, por “servilë par excellence”, që sipas rastit mund të ishin edhe individë me të shkuar kriminale. Sa për ilustrim, mund të jemi i vetmi vend në Europë që kemi miratuar një ligj të posaçëm dekriminalizimi të politikës dhe institucioneve kushtetuese dhe administratës publike.
Por ky historik nuk vlen për histori në vetvete sesa për të shpjeguar gjendjen aktuale të Shqipërisë “made in 2008”. Dhe për të qenë sa më të vërtetë, duhet thënë se, po prapë për ilustrim, jemi i vetmi vend ku nuk është problem vetëm qeveria, por i gjithë establishmenti politik. Sepse sjellja e udhëheqësve të qeverisë dhe opozitës është e njëjta. Një gjysmë autokraci që me kalimin e kohës është shndërruar në despotizëm të dy personave, të cilët janë pikërisht autorët, zbatuesit dhe përfituesit e ndryshimeve të 2008.
Konkretisht, dy debatet më të mëdha që po dominojnë hapësirën publike prej të paktën një viti janë çështja Balluku në PS dhe çështja Berisha në PD. Çështja Balluku, si sjellje e Edi Ramës ndaj akuzave të drejtësisë, ka sjellë një standard të ri gënjeshtar politik tashmë të hapur dhe pa doreza. “Ligji jam unë”, “shteti jam unë”, “e vërteta jam unë”. Autori: Edi Rama! Nëse për Ahmetajn, Beqajn apo Veliajn Rama i nënshtrohej kërkesave dhe masave të kërkuara nga SPAK për heqje imuniteti apo shkarkim nga pozicionet shtetërore, në rastin e Ballukut ka rëndësi vetëm vetoja bllokuese e Kryeministrit. SPAK, GJKKO, Gjykata Kushtetuese apo dhe doktrina parlamentare 500-vjeçare perëndimore nuk kanë më asnjë vlerë. Rëndësi ka çfarë ka vendosur despoti. E kush kërkon të kundërtën brenda PS duhet të heshtë pasi “fluturon” rrugëve të papunësisë politike, i shkatërrohet karriera e kështu me radhë. Sa për përgjigjen ndaj ndërkombëtarëve, qëndrimi është më i paqartë, por gjithsesi me të njëjtin rezultat. Veto! Ose më keq akoma ndërkombëtarët shndërrohen në “sabotatorë” nën pretekst sovranist, ose u relativizohen qëndrimet përmes frazash që as vetë Rama nuk i kupton pasi i shqipton. Shembulli më elokuent është podcasti kryeministror i së dielës që duket se ia ka vjedhur Shvejkut në titullin “ku di gjë unë se ç’them unë”!
Po në PD çfarë ndodh? E njëjta gjë “mot a mot”! “Neni Basha” që detyronte vetë Berishën e këdo tjetër pas tij të dorëhiqej në rast humbjeje të zgjedhjeve të përgjithshme apo dy palë zgjedhjesh rresht lokale e të përgjithshme, tashmë është harruar dhe interpretohet sipas qejfit të Berishës. Të tjerët brenda PD heshtin ose duartrokasin. Kjo gjendje e ka shndërruar “foltoren” e 2021 në një kujtim qesharak, ndërsa sjelljen e opozitës në një butafori të ngjashme me çmimet ndërkombëtare të ushqimit që Ramiz Alia trumbetonte në kohët e tallonave në fillim të viteve ’80.
Si Rama ashtu edhe Berisha e kanë marrë kurajën të sillen hapur si satrapë prej rezultatit të zgjedhjeve të 11 majit. Ditën kur me ndihmën e njëri-tjetrit dhe nënshtrimin vullnetar të ushtrive të tyre të militantëve e patronazhistëve, hipotekuan përdhunshëm njëri monopolin e qeverisjes e tjetri atë të opozitës. E megjithëse në zgjedhjet e pjesshme të 9 nëntorit morën një mesazh të qartë bojkotues, ku bie në sy pjesëmarrja me 11% në Vlorë, duket se të dy vazhdojnë të njëjtën sjellje pasi deri në zgjedhjet e ardhshme lokale të 2027 mendojnë se do rishpikin veten për të ruajtur të njëjtat pozita. Dhe me shumë gjasë kanë të drejtë! Pasi me të njëjtin popull, të njëjtat parti të vogla të dështuara dhe të njëjtët ndërkombëtarë të armatosur me retorikë të presionit diplomatik si të vetmen armë, nuk ka se si të ndryshojë situata.
Meqenëse përcaktimet politike kanë shterruar, situatën ku gjendemi e shpjegon më së miri një barcaletë e ca viteve më parë. Një banor i ri i një hyrjeje pallati pa ashensor kishte blerë një apartament në katin e pestë. Ditën që po ngjiste në apartament mobiljet bashkë me një mikun e tij, diku nga mesi i ngjitjeve të stërmundimshme nga pesha, i kërkon një komshiu që pinte cigare në pushimin e shkallëve të katit të dytë disa herë ndihmë, por pa sukses. Pasi nuk kishte më fuqi të ngjiste elektroshtëpiaket, banori i ri i kërkon komshiut edhe arsyen se përse ai nuk po i ndihmonte. Komshiu, me një qetësi vrastare, i përgjigjet se “nuk ju ndihmoj dot se vuaj nga një sëmundje e rëndë seksuale. Nuk më do t…!”
E ja kështu shpjegohet dhe refuzimi i Ramës për t’i hequr imunitetin parlamentar Ballukut pavarësisht se imuniteti nuk është mburojë nga drejtësia e pavarur. E po njësoj edhe mosdorëheqja e Berishës pas dy palë zgjedhjesh të humbura pavarësisht se e shkroi me dorën e tij në statutin e miratuar më 11 dhjetor të 2021. Fundja kjo është autokracia apo despotizmi. Udhëheqës që nuk pyesin as për traditë, as për kushtetutë e as për ligj, por thjesht ngopin babëzinë personale për pushtet të pakufizuar.
Ndaj republika parlamentare e 1998 është shndërruar në republikën e Ramës e Berishës të tipit “s’më do qejfi”. Fiks siç përgjigjej komshiu që nuk lëvizte nga vendi me cigare në buzë!
