Ligjvënësit republikanë në Indiana refuzuan të martën një propozim për rivizatimin e hartës zgjedhore të shtetit, duke u pozicionuar kundër presionit të fortë të Presidentit Donald Trump, i cili kërkonte ndryshime që do t’i rrëmbenin demokratëve dy vende në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së. Prej javësh, Trump ka ushtruar trysni në shtetet ku republikanët mbajnë pushtetin, për t’i bindur ata të miratojnë rindarje zonash zgjedhore që do të forconin pozitën e Partisë Republikane në zgjedhjet e mesit të mandatit në vitin 2026. Republikanët aktualisht kanë një shumicë të brishtë prej vetëm pesë vendesh në Dhomën e Përfaqësuesve – një epërsi që rrezikon të zbehet në nëntor 2026.
Presidenti arriti të siguronte rivizatimin e hartës në Teksas gjatë verës, zhvillim që pritet t’i japë partisë së tij pesë vende shtesë vitin e ardhshëm. Por tentativa për një proces të ngjashëm në Indiana hasi rezistencë të fortë brenda vetë kampit republikan. Në Senatin e shtetit, propozimi mori vetëm 19 vota pro dhe 31 kundër, pavarësisht se republikanët kontrollojnë 40 vende. Rrjedhimisht, harta aktuale zgjedhore mbetet në fuqi, duke favorizuar dy kongresmenët demokratë që përfaqësojnë sot Indianan në Dhomën e Përfaqësuesve.
Trump reagoi ashpër ndaj kryetarit të shumicës republikane në Senatin e Indiana-s, Roderick Bray, duke paralajmëruar se do të mbështeste çdo kundërshtar të tij në garën brenda partisë në pranverë. Ndërkohë, demokratët po lëvizin me shpejtësi për të shfrytëzuar këtë klimë tensioni. Në Kaliforni, rindarja e re e zonave zgjedhore – e miratuar me referendum – pritet të heqë pesë vende republikane në Kongresin federal. Po ashtu, demokratët e Virxhinias, pasi rikthyen kontrollin e legjislaturës në nëntor, po përgatiten të miratojnë një hartë të re zgjedhore.
Procesi i rishpërndarjes së zonave zgjedhore në SHBA, i cili teorikisht kryhet çdo dhjetë vjet pas regjistrimit të popullsisë, është shndërruar në një mjet të fuqishëm politik për të ndikuar balancat elektorale. Në praktikë, të dyja partitë përdorin hartat për të konsoliduar zonat e tyre të sigurta dhe për të dobësuar kundërshtarët, shpesh duke manipuluar me forma ekstreme të distrikteve zgjedhore
