Vendosja nën masën e sigurisë “Arrest shtëpie” e drejtueses së Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni, si dhe kontrollet e ushtruara nga SPAK ndaj ish-kryepolicit Ilir Proda, kanë sjellë reagime të ashpra nga foltorja e protestës qytetare përpara godinës së Kryeministrisë.

Nga sheshi, një prej protestuesve e cilësoi ngjarjen si një nga skandalet më të mëdha të shtetit shqiptar, duke akuzuar drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama se e ka shndërruar Shqipërinë në një “republikë bananesh” ku institucionet e sigurisë kombëtare iu nënshtruan eksponentëve të krimit.

“Sot kreu i SHISH Vlora Hyseni është vendosur në arrest shtëpiak nga SPAK dhe i janë bërë kontrolle ish-kryepolicit Ilir Proda, ku shumë shpejt mund të arrestohet. Këto janë skandale nga më të mëdhatë dhe qeverisë Rama çdo ditë i ndodh një skandal i ri. Vetëm në republika bananesh është parë të arrestohet kryetarja e shërbimit informativ!” deklaroi ai.

Protestuesi denoncoi rrjedhjen e informacioneve me rëndësi kritike për sigurinë kombëtare drejt rrjeteve private e kriminale, duke u ndalur te lidhja mes drejtueses së SHISH-it, Ergys Agasit dhe zyrtarëve të tjerë të lartë.

“I shiste informacione sekrete një krimineli si Ergys Agasi që është pas hekurave! Në çfarë shteti normal që do të futet në BE këto informacione kalonin në zyren sekrete të Ergys Agasit dhe i administronte dashnorja e tij përmes videove?! A është ky shtet normal apo shtet i Ergys Agasit?!” u shpreh me ton të ashpër protestuesi.

Më tej, ai hodhi poshtë pretendimet e kryeministrit se u njoh me vonesë me ngjarjen, duke përmendur përgjegjësinë direkte të ekzekutivit mbi institucionet si AKSHI dhe përzgjedhjen e kuadrove nga Kosova.

“Edi Rama bëri status se gjoja e pa ngjarjen me vonesë. Ai e ka ditur sepse AKSHI është institucion në varësi të tij dhe ka përgjegjësi direkte për këtë institucion! Ai e solli Vlora Hysenin nga Kosova ku u shkarkua nga Albin Kurti dhe e vuri në krye të SHISH, si nuk ka përgjegjësi ai?!”

In përmbyllje të fjalës së tij përpara godinës së ekzekutivit, protestuesi theksoi se mburoja e zakonshme politike e “përgjegjësisë individuale” nuk mund të përdoret më kur bëhet fjalë për të emëruarit e drejtpërdrejtë të kryeministrit.

“Fraza se përgjegjësia është personale nuk pi më ujë sepse është vetë Rama arkitekti, ai që i vendos, i heq dhe udhëzon të bëhen këto krime! Vlora Hyseni, Ergys Agasi, Ermal Beqiri dhe të tjerë nuk veprojnë me kokën e vet, por sepse ky u jep leje, i emëron dhe u jep para e tendera!” përfundoi ai nga foltorja e sheshit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb