Reshjet e shiut që kanë përfshirë dy ditët e fundit të gjithë qarkun e Beratit kanë sjellë prurje të mëdha në lumin Osum, dukë bërë që niveli i tij të arrijë pranë kufijve të rrezikut. Burime nga Shtabi i Emergjencave pranë Prefekturës së Qarkut të Beratit bëjnë me dije se situata është nën kontroll, ndërkohë që situata është duke u monitoruar pasi prurjet janë duke u shtuar.

Ndërsa në zonën e Tomorit reshjet e dëborës që nuk kanë pushuar gjatë 24-orëve të fundit kanë zbritur në disa zona të thella malore, duke shkaktuar edhe problematika në qarkullimin rrugor. Vetëm në zonë e Gjerbësit ka patur rrëshqitje të gurëve dhe të dherave dhe për pasojë kjo njësi administrative është e bllokuar. Për të zhbllokuar situatën drejt zonës janë nisur mjetet e bashkisë së rrethit të Skraparit, që raportohet se janë duke punuar për të kthyer normalitetin në zonë.

Ndërsa reshjet e rëna raportohet se kanë fryrë përrenjtë dhe prurjet e tyre kanë çuar lumenjtë drejt pikës së rrezikut. Shtabi i emergjencave bën me dije se është dhënë alarmi për gatishmëri pasi në Urën e Varur në Berat niveli i ujit ka kaluar parametrat, ndërkohë nuk ka njoftime për përmbytje të tokave bujqësore. Mësohet se në disa zona kanë patur ndërprerje të energjisë elektrike, si në disa fshatra në Skrapar, po kështu edhe në fshatrat Kutalli e Poshnje në bashkinë Dimal si dhe në disa lagje të qytetit të Kuçovës.

Gjithsesi Shtabi i Emergjencave në Prefekturën e qarkut Berat është në gatishmëri të plotë për çdo të papritur.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb