Reshjet e dendura të shiut që kanë nisur gjatë natës kanë shkaktuar probleme serioze në rrugën nacionale Burrel–Skuraj.
Si pasojë e motit të keq, gurë dhe inerte kanë përfunduar në asfalt, duke krijuar rrezik për qarkullimin e mjeteve.

Rrëshqitje masive janë regjistruar në afërsi të urës së Ulzës, si dhe pranë sektorit C, ndërsa problematika të ngjashme janë konstatuar edhe në segmente të tjera të kësaj rruge. Gjatë orëve të natës, qarkullimi është zhvilluar vetëm në një krah, pasi aksi nga Burreli në drejtim të Milotit ka qenë i bllokuar në disa segmente, duke vështirësuar ndjeshëm lëvizjen e mjeteve.

Ky segment rrugor mbetet problematik sa herë ka reshje shiu, për shkak të rrëshqitjes së vazhdueshme të gurëve nga shpati i malit. Mungesa e sinjalistikës, e mbrojtëseve anësore dhe gjendja e amortizuar e rrugës me gropa të shumta e rrit edhe më shumë rrezikun për drejtuesit e automjeteve. Një devijim i vogël nga rruga mund të ketë pasoja të rënda, pasi ekziston rreziku i përfundimit të mjetit në Liqenin e Shkopetit.

Situata përkeqësohet edhe nga vërshimi i ujërave ne rrugë, si dhe në tunelin e Shkopetit, çka e bën qarkullimin edhe më të vështirë.

Aktualisht, firma e mirëmbajtjes rrugore ndodhet në terren dhe po punon për pastrimin e gurëve dhe inerteve nga rruga, ndërsa drejtuesit e mjeteve këshillohen të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit në këtë aks.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb