Pas më shumë se 13 orësh pa energji elektrike, qyteti i Gramshit dhe disa zona përreth si edhe fshatrat në Njësinë Administrative Mollas në bashkinë Cërrik pritet t’i rikthehen normalitetit. Pas dëmtimeve të shkaktuara nga reshjet e dendura të shiut, ekipet e OSHEE-së kanë arritur të riparojnë defektet në dy kabina elektrike dhe në rrjetin shpërndarës në bashkinë Gramsh duke bërë të mundur rikthimin gradual të furnizimit me energji.

Problemet nisën rreth orës 00:00 të natës së kaluar, kur si pasojë e motit të keq u regjistruan defekte në nënstacionin elektrik të Gramshit, duke lënë pa drita qindra familje.

Më të prekura ishin shtatë fshatra të Njësisë Administrative Kukur, ku përveç dëmeve në rrjetin energjetik u raportuan edhe bllokime të akseve rrugore, çka vështirësoi lëvizjen e qytetarëve dhe ndërhyrjen e ekipeve teknike.

Ndërprerja e energjisë solli pasoja edhe në jetën e përditshme pasi procesi mësimor u pezullua në disa shkolla, pasi mësuesit nuk mundën të udhëtojnë drejt institucioneve arsimore, ndërsa linjat e transportit publik ndërprenë përkohësisht shërbimin për shkak të rrugëve të bllokuara nga inertet.

Në terren prej orëve të para të mëngjesit kanë qenë grupet e punës së OSHEE-së, të cilat punuan pa ndërprerje për të lokalizuar defektet dhe për të rikthyer energjinë. Rreth orës 13:00 të ditës së sotme u kryen provat e para të suksesit të riparimeve, dhe energjia nisi të rikthehej gradualisht në pjesën më të madhe të qytetit.

Sipas burimeve jo zyrtare nga OSHE Elbasan, mbetet ende pa energji një pjesë e qytetit të Gramshit për shkak të dëmtimit të pajisjeve në një nga kabinat qendrore, por puna vijon intensivisht për ta rikthyer plotësisht furnizimin. Po ashtu, në Mollas të bashkisë së Cërrikut ekipet e terrenit po punojnë për rikthimin e energjisë pas defekteve të shkaktuara nga moti i keq.

Ndërkohë, strukturat e mbrojtjes civile pranë Bashkisë Gramsh dhe Cërrik po monitorojnë situatën në mënyrë të vazhdueshme, për shkak të rrezikut të shtuar nga prurjet e larta të ujit në zonat malore, që mund të shkaktojnë probleme të reja në rrjetin elektrik dhe në qarkullimin rrugor.

Rikthim i furnizimit pas më shumë se 13 orësh ndërprerjeje u arrit si rezultat i një pune të përqendruar të ekipeve teknike dhe bashkëpunimit të ngushtë mes institucioneve vendore dhe OSHEE-së, të cilat po vijojnë përpjekjet për të garantuar stabilitetin energjetik në të gjithë qarkun e Elbasanit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb