E rëndë është situata me përmbytjet edhe në Fier, ku 27 banesa kanë prezencë të lartë të ujit, si pasojë e reshjeve të dendura të shiut që vijojnë prej disa ditësh.

Sipas të dhënave të fundit, në fshatrat Kashisht, Adë, Kafaraj, Cerven dhe Ferras janë nën ujë rreth 200 ha tokë bujqësore, brenda argjinaturave. Ndërkohë, nivelet e lumenjve Seman dhe Shkumbin janë në tendencë rritjeje.

Në rrezik për dalje nga shtrati është edhe lumi Vjosë, pasi niveli i prurjeve në Urën e Mifolit ka kaluar mbi pikat e matjes. Aktualisht uji ka arritur pikën kritike të nivelit në gjatësinë e argjinaturës (buzë më buzë).

Si pasojë e prurjeve të lumit Vjosë, ka prezencë uji edhe në Stacionin e Pompimit të Kafarajt, Njësia Administrative Frakull, nga ku bëhet edhe furnizimi me ujë i qytetit të Fierit.
Si masë paraprake janë stakuar disa nga pompat në puset që janë në afërsi të lumit Vjosë dhe po punohet me kapacitet më të reduktuar përmes disa puseve të tjera që ndodhen disi më larg. Kjo masë e marrë nga UKF ka reduktuar furnizimin me ujë të qytetit (me grafik).

Të dhënat e marra nga pikëmatja në Urën e Memaliajt tregojnë për përkeqësim të situatës në orët në vazhdim.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb