PRISHTINË-Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, u drejtohet qytetarëve për gjendjen e reshjeve në Kosovë duke u bërë të ditur se të gjitha forcat e FSK, njësitë e emergjencës pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme janë në gatishmërinë të intervenojnë dhe të ndihmojnë për tejkalimin e pasojave nga reshjet e shiut.
Kryeministri Mustafa nëpërmjet një postimi në statusin e tij social Facebook mbrëmjen e së hënës, shprehet se “Nga Qendra e Situatave, që vepron në Këshillin për Sigurinë e Kosovës, gjatë ditës jam informuar lidhur me pasojat e reshjeve të shiut në Mitrovicë, Vushrri, Prishtinë, Fushë Kosovë, Lipjan, Obiliq, Podujevë, Drenas, Graçanicë, Pejë, Klinë, Istog, Deçan, Junik, Prizren, Suharekë, Dragash, Gjakovë, Malishevë dhe Rahovec.”
“Kam kontaktuar me telefon me Kryetaren e Komunës së Gjakovës, ku për fat të keq ka pasur edhe një viktimë njerëzore, me Kryetarin e Komunës së Malishevës, me atë të Lipjanit, të Mitrovicës dhe të Vitisë. Gjatë ditës së nesërme do të bëjmë një vlerësim të gjendjes. FSK ka gatishmërinë të intervenojë dhe të ndihmojë, sikurse edhe njësitë e emergjencës pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, për tejkalimin e pasojave, sipas vlerësimeve të organeve përgjegjëse. Përgëzoj Kryetarët e Komunave për një organizim të mirë dhe menaxhim të gjendjes në terren. IM”, shkruan Mustafa.
(ed.me/BalkanWeb)
