Reshjet e dendura të shiut të rëna gjatë natës kanë sjellë përmbytje në zonën e Murqinës, pasi lumi Ishëm ka dalë nga shtrati, duke përmbytur dhjetëra hektarë tokë bujqësore. Sipas banorëve të zonës, uji ka pushtuar sipërfaqe të mëdha të mbjella, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në kultura bujqësore. Situata paraqitet më problematike në lagjen fundore të fshatit, e cila aktualisht është e izoluar, pasi rruga lidhëse është e kalueshme vetëm me mjete të larta.
Rritja e nivelit të ujit ka ardhur si pasojë e prurjeve të shumta nga reshjet intensive, ndërsa banorët shprehen të shqetësuar për vijimësinë e motit dhe mundësinë e përkeqësimit të situatës në orët në vijim.
Strukturat vendore dhe ato të emergjencave civile janë vënë në ndjekje të situatës, ndërsa u bëhet thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të tregojnë kujdes në zonat e përmbytura.
