Të paktën katër persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur në prefekturën Chiba, në lindje të Japonisë, pasi reshje rekord shiu goditën zonën pranë kryeqytetit Tokio.
Autoritetet i kanë cilësuar reshjet si të paprecedenta. Më shumë se 20 mijë familje mbetën pa energji elektrike, ndërsa rreth 7 mijë udhëtarë u bllokuan gjatë natës në aeroportin Narita. Mbi 100 mijë familjeve iu kërkua të evakuoheshin për shkak të përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dheut.
Agjencia Meteorologjike e Japonisë tha se Chiba regjistroi më shumë se 100 milimetra shi në orë, një nivel rreth trefish më i lartë se reshjet mesatare të muajit gusht dhe ndër më të lartat e regjistruara ndonjëherë në zonë.
Një prej viktimave ishte një grua që humbi jetën brenda makinës së saj, e cila u përmbyt në një rrugë. Dy persona të tjerë u rrëzuan në rrugë dhe më vonë ndërruan jetë.
Autoritetet lëshuan të enjten alarmin më të lartë të emergjencës, nivelin pesë, i cili më pas u ul në nivelin katër. Megjithatë, paralajmërimet për përmbytje dhe rrëshqitje dheu mbeten në fuqi, ndërsa reshjet pritet të vazhdojnë deri të premten në mbrëmje.
Guvernatori i Chibës, Toshihito Kumagai, e përshkroi situatën si jashtëzakonisht të pazakontë, duke thënë se nuk kishte përjetuar më parë një fatkeqësi të ngjashme.
Për shkak të motit të rënduar, disa linja hekurudhore vijojnë të jenë të pezulluara dhe disa autostrada kryesore janë mbyllur. Rreth 1,800 persona kaluan natën në ndërtesën e Qeverisë së Prefekturës Chiba, ndërsa udhëtarë të tjerë mbetën të bllokuar në stacionet e transportit publik.
Në aeroportin Narita, fluturimet pritet të zhvillohen normalisht, megjithëse Japan Airlines ka paralajmëruar për vonesa të mundshme.
Meteorologët e lidhën situatën me përplasjen e masave të ajrit të ngrohtë dhe të lagësht me ajrin e ftohtë mbi lindje të Japonisë, duke krijuar kushte jashtëzakonisht të paqëndrueshme atmosferike.
Reshjet e dendura janë pjesë e një vale të gjerë moti të keq që ka prekur edhe Filipinet dhe Kinën. Gjatë ditëve të fundit, rajoni është përfshirë nga disa stuhi dhe tajfune, duke shkaktuar përmbytje, ndërprerje energjie dhe evakuime masive.
