Xhamia e Plumbit në Shkodër, një prej monumenteve më të rëndësishme të arkitekturës osmane në Shqipëri, është inauguruar sot pas një restaurimi të plotë, në një ceremoni të veçantë ku morën pjesë personalitete vendase dhe ndërkombëtare, përfshirë Ambasadorin e Turqisë në Tiranë, Tayyar Kagan Atay.

Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed Sytari, e përshkroi këtë moment si “një ëndërr që bëhet realitet”, duke vlerësuar rikthimin në identitet të këtij objekti kulti me rëndësi të veçantë historike e shpirtërore për qytetin.

Edhe kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, u shpreh se “restaurimi i Xhamisë së Plumbit është një moment që na bën krenarë të gjithëve”, pasi sipas tij, i kthen dinjitetin një objekti unik në të gjithë Ballkanin.

Nga ana e tij, ambasadori turk në Shqipëri, Tayyar Kagan Atay, vlerësoi bashkëpunimin ndërmjet qeverisë turke dhe asaj shqiptare për realizimin e këtij investimi, i cili i jep jetë një trashëgimie të rrallë kulturore dhe historike.

E ndërtuar në vitin 1773, pranë hyrjes së Kalasë së Rozafës, Xhamia e Plumbit mori emrin për shkak të mbulesës së saj me plumb – një element që i dha rezistencë dhe elegancë strukturës. E ndërtuar sipas stilit klasik osman, ajo përfshin një kupolë qendrore, katër kupola më të vogla dhe një minare elegante. Mjedisi përreth pasqyron një harmoni mes historisë dhe natyrës.

Pas dëmtimeve të shumta nga përmbytjet dhe koha, kjo ndërhyrje restauruese e rikthen xhaminë në lavdinë e saj, si një simbol i qëndrueshmërisë së trashëgimisë kulturore dhe bashkëjetesës fetare në Shkodër.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb