Analisti Agim Baçi, i ftuar në studion e “News24”, ka komentuar klimën politike në Shqipëri vetëm pak ditë përpara zgjedhjeve të përgjithshme të 11 majit.
Sipas tij, opozita ka arritur të detyrojë kryeministrin Edi Rama të ndryshojë tonin, ndërsa sipas sondazhet kanë treguar një rënie të mbështetjes për mazhorancën pas gjuhës “bullizuese” të socialistëve.
“Opozita pati një tendencë për ta tërhequr Ramën drejt llogaridhënies. Nuk kam parë ndonjë reflektim të vërtetë, por retorika e tij bullizuese është zbutur. Kjo lidhet me ndjekjen e sondazheve nga ana e Ramës, që tregojnë një lloj rënieje. Nuk besoj se shumica e qytetarëve janë dakord që programi qeveritar të përqendrohet te tallja me kundërshtarin,” tha Baçi.
Ai vlerësoi punën e SPAK-ut, duke e cilësuar një nga institucionet me mbështetjen më të madhe publike: “SPAK ka bërë të mundur një lloj llogaridhënieje që ka munguar për shumë vite në vend.”
Megjithatë, Baçi nënvizoi se për opozitën nuk mjafton të ketë një program: “Ka nevojë për besueshmëri. Nuk mbaj mend që qytetarët të kenë qenë kaq të paqartë në arsyet pse duhet të votojnë për dikë, që nga viti 1991.”
Ai vuri në dukje edhe dy elemente që sipas tij pritet të luajnë një rol vendimtar në këto zgjedhje: vota e diasporës dhe ajo e të pakënaqurve që kanë bojkotuar më parë.
“Partitë e reja janë kthyer në surprizë dhe kanë shqetësuar të dyja kampet. Vota e emigrantëve duhet të jetë e lirë dhe e paprekshme – përndryshe lindin dyshime për gjithë procesin në vend,” përfundoi Baçi.
