Pavarësisht protestave masive që kanë tronditur Iranin dhe kanë shkaktuar qindra deri në mijëra viktima, si dhe presionit ndërkombëtar në rritje, deri më tani nuk ka shenja të një përçarjeje të brendshme në bërthamën e fortë të pushtetit që mund të çojë në rrëzimin e regjimit islamik.

Ky është përfundimi kryesor i një analize të Reuters, e cila vë në dukje se Republika Islamike vazhdon të qëndrojë në këmbë, pavarësisht krizës së thellë politike, sociale dhe ekonomike. Presioni mbi udhëheqjen iraniane është shtuar edhe nga kërcënimet e përsëritura të presidentit amerikan Donald Trump për veprime ushtarake, në përgjigje të shtypjes së dhunshme të demonstratave. Sipas një zyrtari të Shtëpisë së Bardhë, “të gjitha opsionet janë në tryezë”.

Megjithatë, diplomatët dhe analistët theksojnë se pa dezertime në nivelet më të larta të shtetit, veçanërisht në forcat e sigurisë, shembja e regjimit mbetet e pamundur. “Duhet një mobilizim shumë më i gjatë në rrugë dhe një fragmentim i shtetit, me pjesë të forcave të sigurisë që kalojnë në anën e protestuesve,” u shpreh Vali Nasr, ekspert i politikës së jashtme të SHBA-së. Aparati i sigurisë së Iranit konsiderohet ndër më të fortët në botë. Garda Revolucionare dhe forcat paramilitare Basij, me afro një milion anëtarë, kanë shërbyer si shtylla kryesore e kontrollit dhe shtypjes. Kryengritjet e mëparshme janë shuar përmes arrestimeve masive, vrasjeve dhe frikësimit, një strategji e përshkruar nga analistët si “sundim përmes frikës”.

Shifrat e viktimave mbeten të paqarta. Një zyrtar iranian flet për rreth 2,000 të vrarë, duke fajësuar “terroristët”, ndërsa organizatat e të drejtave të njeriut raportojnë të paktën 600 viktima dhe mbi 10,000 arrestime. Udhëheqësi Suprem, Ajatollah Ali Khamenei, 86 vjeç, ka mbijetuar disa valë sfidash që nga viti 2009. Kjo kryengritje e fundit shihet si dëshmi e qëndrueshmërisë së regjimit, edhe pse analistët paralajmërojnë se mbijetesa nuk do të thotë stabilitet afatgjatë. Ekonomia është e mbytur nga sanksionet dhe pozicioni gjeopolitik i Iranit është dobësuar, ndërsa aleatët rajonalë kanë pësuar humbje të rënda.

Në qarqet diplomatike po diskutohet edhe “modeli i Venezuelës”, që synon largimin e majës së pushtetit pa shpërbërjen e aparatit shtetëror, por një skenar i tillë për Iranin konsiderohet jashtëzakonisht i rrezikshëm. Opsionet ushtarake dhe presioni ekonomik mbeten në lojë, por mbartin rreziqe të larta për destabilizim rajonal. Për momentin, përfundon analiza, regjimi në Teheran duket i plagosur rëndë, por jo ende gati për t’u shembur.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: