Një ditë pas protestës së dytë në kryeqytet ku dhjetëra qytetarë u ngritën pas vrasjes së 25-vjeçarit Klodian Rasha, gjurmët e revoltës dhe dëmet materiale janë të dukshme.
Gazetari Erjon Skëndaj raportoi për “BalkanWeb” se në një vëzhgim të bërë nga ajo çfarë ka lënë pas protesta, dëmet janë të gjitha në prona ose objekte publike dhe se nuk ka asnjë dëm në pronë private. Ata që e kanë pësuar më shumë duket se janë semaforët.
“Dëmtime në struktura shtetërore ose në sinjalistikë rrugore, të gjitha pronë e shtetit. ka pasur dëmtime serioze të sinjalistikës rrugore, qoftë ajo vertikale ashtu dhe horizontale. Dëmtimet kanë prekur stacionet e autobusit, koshat e mbeturinave. Të gjithë semaforët që ndodhen në ‘Rrugën e Durrësit’, në kryqëzimin e ‘Rrugës së Durrësit’ me Unazën dhe ‘Rrugën e Kavajës’ me unazën, në pjesën e poshtme, pranë parkut ‘Rinia’, në rrugën ‘Myslym Shyri’, në pjesën e Unazës nga ‘Myslym Shyri’ tek ‘Zogu i Zi’, sinjalistika e dëmtuar. Një pjesë e tyre po zëvendësohen. ndërkohë që ka semaforë që iu ka mbetur vetëm tubi mbajtës. Punonjësit e bashkisë po merren me zëvendësimin e sinjalistikës. Nuk më rezulton asnjë dëm në pronë private, dëmet në pronë shtet dhe prona që mbajnë vulën e Bashkisë Tiranë”, raportoi Skëndaj.
