Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për Associated Press në lidhje me situatën e krijuar prej disa ditësh në Shqipëri, ku qytetarë të shumtë kërkojnë masivisht dorëheqjen e tij, ndërsa revolta është përhapur edhe në kryeqytetet evropiane, si edhe në SHBA e Kanada.
AP shkruan se pavarësisht një rritjeje të protestave kundër Ramës, ky i fundit ka hedhur poshtë kundërshtimet duke i cilësuar ato si rezultat i dezinformimit.
Qeveria thotë se projekti i kundërshtuar fillimisht dhe që shërbeu si shkëndijë për nisjen e protestave masive do të ishte transformues për vendin.
Associated Press shkruan se mijëra demonstrues i janë bashkuar protestave të përditshme jashtë zyrës së Ramës në Tiranë.
Rama thotë se kritikat janë plot me ‘gjysmë të vërteta’
Sipas Ramës një pjesë e reagimit negativ po amplifikohej nga ndërhyrjet e jashtme, duke përmendur atë që ai e përshkroi si një fushatë kibernetike iraniane afatgjatë kundër Shqipërisë.
Shqipëria e ka akuzuar prej kohësh Iranin për mbështetjen e hakerave që sulmojnë infrastrukturën kibernetike të vendit, pasi Shqipëria strehoi anëtarë të një grupi opozitar iranian. Megjithatë Teherani i ka mohuar akuzat.
“Ka shumë manipulime. Ka shumë gjysmë të vërteta që bëhen gënjeshtra gjithnjë e më të mëdha çdo orë”, tha ai.
