Kreu i PD Sali Berisha ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për vjedhjen e zgjedhjeve të 11 majit, bashkëpunim me bandat dhe korrupsion.
Në takimin e tij të zhvilluar në Elbasan, Berisha bëri thirrje për reagim kundër regjimit, ndërsa shtoi se beteja e PD nuk do të ndalet deri në përmbysjen e regjimit dhe fitores së Partisë Demokratike.
“I bëj thirrje qytetarëve që të përgatiten për revoltat më të fuqishme që ka njohur vendi. Midis nesh ka njerëz të lodhur, të mërzitur, të pakënaqur. Ne do të nisim një betejë që nuk do të ndalemi më deri në përmbysjen e këtij regjimi dhe në fitoren e Partisë Demokratike”, tha ai.
Pjesë nga fjala e Berishës:
Vazhduan të na rrëmbenin emrin, të na rrëmbenin flamurin. Dështuan se qëndruam. Dështuan se nuk u dorëzuam. Na përçanë, u bashkuam.
Janë të vërteta këto.
Pse po ndalem këtu në këtë histori? Po. Ne kemi një histori. Dhe historia jonë po të përmblidhet me një fjalë, është; Të pamposhtur.
Të pamposhtur.
Të pamposhtur.
E faktuam ne këtë. E kemi faktuar ne këtë. Erdhën zgjedhjet.
Miq, për çdo demokrate e demokrat, çdo qytetar dhe qytetare mbështetës të Partisë Demokratike dhe opozitës, kam vetëm një lutje: Sali Berisha në mënyrën më të përsëritur, jo një herë, po dhjetëra e dhjetëra herë, ju ka deklaruar dy gjëra.
Me Edi Ramën zgjedhje nuk ka.
Asnjëherë.
Me Edi Ramën zgjedhje nuk ka.
Sikundër zotimi im solem se, do të mbroj votën tuaj. Se cilat ishin zgjedhjet, ftoj çdo votues, çdo zgjedhës të këtij qyteti të bekuar dhe të këtij rrethi, të pyesë veten kaq: A mund të quhen zgjedhje ato në të cilat shteti mobilizon të gjitha burimet, potencialin e saj në garë elektorale.
A mund të quhen zgjedhje ato kur shteti organizon për të ndikuar tek qytetarët në votën e tyre, në periudhë të ndaluar me ligj, 4530 aktivitete. Të gjitha me paratë e taksapaguesve, përfshi këtu ditën e votimit ‘Giro D’Italia’ me 7 milionë euro. Organizatë private.
A mund të quhen zgjedhje ato në të cilat i biri i Kristaq Ramës që firmosi varjen në litar të poetit disident, arrestoi në vitin zgjedhor si persona nën hetim pa asnjë akuzë, kryetarët e dy partive kryesore opozitare dhe të partisë së tretë e vuri në ndjekje penale, për një çështje që ishte gjykuar e rigjykuar 15 vite më parë.
Pra nëqoftëse ti një opozitë e merr të dekapituar dhe e çon në zgjedhje, a mund të imagjinohet të flitet për zgjedhje.
A mund të quhen zgjedhje ato në të cilat nga paratë tuaja të taksapaguesve për të blerë votat shpërndanë, shpërndanë 100 euro për 760 mijë pensionistë në mes të fushatës.
A mund të quhen zgjedhje ato në të cilat për të rrëmbyer votat, fal të gjitha gjobat dhe kamatat, të cilat tani faktohet se ishin 2 miliardë euro.
Tani faktohet, se atëherë nuk, nuk e dinim dhe thoja 200 milionë. Jo, dalin 2 miliardë. Dhe përfitonin 205,000 biznese, nga të cilat 84,000 aktive.
Dhe kjo bëhej dy ditë para votimit.
A mund të quhen zgjedhje, zgjedhje të cilat Edi Rama, punonjësit që ne paguajmë me taksat tona, i shndërron në polici elektorale, në terroristë elektoralë.
Gjithçka që po them është e sanksionuar në raportet ndërkombëtare. Dhjetëra mijëra punonjës, presione nga më të ndryshmet.
A mund të quhen zgjedhje kur qeveria përdor të gjithë forcën e ekzekutivit, me dhjetëra mijëra punësime të përkohshme, leje ndërtimi, certifikata pronësie, leje legalizimi e etj., e etj., për të marrë votat.
A mund të quhen zgjedhje kur qeveria, kur qeveria, licencon mbjelljen e 28,000 hektarëve drogë. Në një kohë kur, sipas terrenit, një bimë kanabis vlerësohet 1000 euro. A mund të quhen zgjedhje?
Ju them një gjë miq, për një komb, asgjë në botë nuk ka më serioze sesa votimi, sesa zgjedhjet. Nuk ka asnjë proces tjetër të përcaktojë fatin e tij, siç përcaktojnë zgjedhjet, prandaj dhe po ndalem.
A mund të quhen, pra zgjedhje, ndërsimi e karteleve të drogës në Durrës Troplinët, në Elbasan Çelët, në Shkodër Bajrët, me miliardat e tyre.
