Bylisi rezultoi “një kantier” në Superiore. Madje është skuadra që ka bërë më shumë lëvizje, në dalje dhe në hyrje, madje edhe më shumë shitje se ekipet e tjera të vendit tonë. Organika ka ndryshuar jo pak tek mallakastriotët, megjithatë, afrimet duket se kanë rritur cilësinë, por edhe konkurrencën.

U shitën lojtarë që kanë dhënë kontribut të çmuar, siç janë Abazaj, Malomo, Peralta e Mustafa, por zëvendësimet janë kryer me lojtarë me goxha eksperiencë dhe që pritet shumë prej tyre. Bylisi ka bërë në këtë merkato 11 afrime, ndërsa u dëmtua portieri Gurau, i cili u zëvendësua menjëherë. Ballshiotët në këtë mënyrë përforcojnë jo vetëm skuadrën e parë, por edhe ekipin B, për pjesën e mbetur të garës.

Tashmë e gjithë vëmendja e klubit, por edhe skuadrës ka kaluar te sfida e radhës në kampionat, ajo me Partizanin e cila zhvillohet nesër në orën 13:30 në “Adush Muçaj” dhe synimi është rikthimi te 3 pikët. Megjithatë, në sfidën që luhet nesër me Partizanin, lojtarët janë federuar, por trajneri Mirel Josa do të shoh formën e secilit sepse kjo është një betejë ku duhen 3 pikët.

Të gjithë do të jenë gati dhe fakti që ka edhe një ndeshje të skuadrës B në fundjavë, ata që nuk do të luajnë ndaj të kuqve, do të jenë pjesë e ekipit të dytë për të marrë minuta. Pjesa më e madhe e lojtarëve kanë qenë në aktivitet, ndaj edhe nuk do të jetë problem kapja e formës për pjesën e mbetur të sezonit. Te ballshiotët duan me çdo kusht që të shpëtojnë sezonin dhe janë në garë në kampionat por edhe në Kupën e Shqipërisë.

Pa thënë se sfida që luhet nesër ndaj të kuqve pritet me shumë interes nga ambienti në Ballsh edhe për faktin se tifozët duan që të njihen me afrimet e fundit, por edhe është një duel vendimtar për mbijetesën. Ndaj të kuqve pritet që të jetë një Bylis i riformatuar, nga porta, në mbrojtje, mesfushë por edhe në sulm, por shumë nga të afruarit do të jenë në lojë, pasi kanë qenë në grumbullim që prej fillimjavës në Ballsh. Megjithatë, boshti me lojtarët si: Kamara, Bruno, Marku, Përndreca, Ofori e Përgjoni apo Ualison janë aty, pa harruar edhe ata që kanë shpërthyer këtë sezon si Adeduro, Koxhi, Sulovari e Abdullahi.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb