Dështimi i tretë radhazi nuk mund të kalojë pa pasoja në Itali, një shtet, një komb që jeton me futbollin, 4 herë fitues të Botërorit. Tifozët dhe opinioni në Itali e kanë të vështirë ta pranojnë një fakt të tillë, për këtë arsye shkarkimi i Gravina-s është i sigurt, por në të njëjtin fat pritet të ketë edhe Gattuso me stafin e tij, edhe pse pas disfatës në Zenica askush nuk pranoi të jepte dorëheqjen.
Në Itali, mediat e bëjnë fakt të kryer revolucionin total në krye të përfaqësueses azzurre: “Të gjithë në shtëpi, Italia voton Allegrin”, shkruan Corriere dello Sport në faqen e parë.

Në fakt, Allegri nuk është trajneri i vetëm emri i të cilit po lakohet në Itali. Në listën e preferencave janë edhe emra të tjerë shumë të njohur, trajnerë si Antonio Conte, Roberto Mancini dhe Simone Inzaghi. Pengesa e vetme është që të katër trajnerët janë nën kontratë me ekipet e tyre respektive.
Conte është një ish i famshëm pasi drejtojë ekipin përfaqësues në “Euro2016” ku u ndal nga Gjermania në fazën çerekfinale. Për të arritur te Conte, sigurisht fillimisht duhet bindur De Laurentiis.
Një tjetër opsion konkret është edhe Simone Inzaghi, i shpërngulur së fundmi në Arabinë Saudite aty ku është nën kontratë me Al Hilal deri në 2027. Pengesë është pa diskutim paga e tij prej sheiku, 25 milionë euro në vit.
Allegri gjithashtu vlerësohet për organizimin e tij, por te Milan po bën shumë mirë dhe është nën kontratë me “djallin” deri në 2027.
Në çdo rast një opsion është edhe Roberto Mancini, trajneri i fundit që i solli Italisë një trofe, Evropianin. Mancini nuk e ka fshehur kurrë dëshirën për t’u rikthyer në krye të Italisë, por mbi të rëndon një eliminim i rëndë, ai përballë Maqedonisë së Veriut, Botërori i dytë radhazi ku Italia mungoi.
